Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë i dhurohen 226 tituj të Botimeve ALSAR në kuadër të projektit, “Libri, dhurata më e çmuar”

Fondacioni ALSAR ka zhvilluar këtë të enjte, më 5 mars, një aktivitet kulturor në Prishtinë në kuadër të projektit të tij jetëgjatë, “Libri, dhurata më e çmuar”.

Në Institutin e Historisë “Ali Hadri” është bërë dhurimi i një numri të madh titujsh të Botimeve ALSAR.

Ceremonisë i ka paraprirë takimi i drejtorit ekzekutiv të Fondacionit ALSAR, z. Saimir Rusheku, me drejtoreshën e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, prof. dr. Teuta Shala-Peli dhe një bisedë mes tyre.

E nisur me përshëndetjet e rastit, biseda u përqendrua në mundësitë e bashkëpunimit të dy institucioneve, posaçërisht në fushën e organizimit të konferencave të përbashkëta dhe të shkëmbimit të literaturës.

Dhurata përbëhej nga 226 tituj të Botimeve ALSAR, më së shumti nga fusha e historisë dhe gjuhësisë, që do t’u shërbejnë studiuesve në punën e tyre kërkimore.

Në ceremoni u shprehën falënderimet për këtë kontribut në pasurimin e fondit të bibliotekës së institutit.

Në shenjë vlerësimi, dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri” i dhuroi Fondacionit ALSAR disa prej botimeve të veta.

soap 2 day