JEHONA NË PRISHTINË E BOTIMEVE TË “ALSAR”-IT: PROMOVIM I “KALVARIT DIPLOMATIK…

Kryeqyteti i Kosovës i ka patur për zemër kohët e fundit në veçanti botimet e Fondacionit “ALSAR”, me dy promovime të njëpasnjëshme brenda pak ditëve. Është folur në Prishtinë për dy botime krejt të veçanta, janë analizuar ato hollësisht, e u është dhënë zë në mjedisin e lexuesve të zgjedhur.
Ditë më parë promovohej në Prishtinë botimi anastatik i revistës “Diturija”, këtë të enjte iu la vend promovimit të librit të diplomatit Shaban Murati, “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës.”

Si një përmbledhje artikujsh, analizash dhe këndvështrimesh diplomatike nga një njohës mjaft i mirë i diplomacisë, me një tematikë tepër aktuale për rrugën që po përshkon tani shteti i Kosovës, libri dhe promovimi i tij mblodhën në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës personalitete të jetës shoqërore dhe akademike. E çmuar ishte prania e autorit të librit, z. Shaban Murati, dhe e botuesit të tij, z. Mehdi Gurra.
Drejtorit të Akademisë Diplomatike të Republikës së Kosovës, z. Beqir Ismaili, i takoi fjala e hapjes. Ai e cilësoi këtë botim si me vlerë të madhe shkencore, diplomatike dhe ndërkombëtare.
Mjetet kosovare të informimit që e pasqyruan veprimtarinë i kushtuan një hapësirë të gjerë fjalës së mbajtur nga z. Mehdi Gurra, kryetari i Fondacionit “ALSAR”.
Ato zgjodhën t’i përcjellin publikut vendas ca rreshta prej ligjërimit të tij gjatë promovimit, duke nënvizuar mes të tjerash se ai pati “fjalë të mëdha për autorin”:
“Një shikim i hollë analitik, publicistik, ‘Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës’ është vëzhgim, kritikë e këshillë njëkohësisht prej një publicisti tepër aktiv, të mirënjohur dhe në Kosovë…

“Bagazhi i pasur diplomatik e ka lejuar z. Shaban Murati të shkruajë në vite për hallet dhe rropatjet e diplomacisë kosovare, të pikasë atë që nuk është bërë mirë, të japë mendim të kualifikuar, e të kujtojë se ç’përparësi duhen ndjekur…
“Diplomati me shumë emër i thotë Prishtinës se rendi i prioriteteve diplomatike dhe strategjike të Kosovës është i thjeshtë, se prioriteti i prioriteteve është njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia…”
Fjalë të ngjashme thanë dhe folësit më tej në vijim të aktivitetit promovues.
“Me kapacitetin e një eksperti të marrëdhënieve ndërkombëtare, të një diplomati me një përvojë thuajse 50-vjeçare në politikën e jashtme, z. Murati ka prekur temat më kruciale, temat që kanë të bëjnë me sfidën e forcimit dhe afirmimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës,” u shpreh profesor Ibrahim Gashi.
Një tjetër folës, z. Memli Krasniqi, e vuri theksin te largpamësia e autorit të veprës, pikasur, sipas tij, në analizën e bërë deklaratave të shtetarëve amerikanë në prag të Rambujesë.
Vetë autori i botimit të “ALSAR”-it, librit “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, do të thoshte teksa u drejtohej të pranishmëve, siç raporton media kosovare:
“Për mua është një emocion i veçantë të jem në mjedisin tuaj, sepse Kosova ka qenë për mua një dashuri profesionale. Nuk ka njeri në Tiranë që ka shkruar për Kosovën më shumë se unë… Ky libër nuk është thjesht një përmbledhje e artikujve, por unë kam dhënë portretin diplomatik të problematikës së Kosovës….”
Kjo veprimtari promovuese në Prishtinë ishte një vlerësim si për entin botues, Fondacionin “ALSAR”, posaçërisht për z. Mehdi Gurra, ashtu dhe për autorin e librit, z. Shaban Murati. Të dy këta morën përgëzimet e organizatorëve dhe pjesëmarrësve për këtë ndihmesë intelektuale për ardhmëninë e shtetit të Kosovës.

soap 2 day