Në vazhdën e veprimtarive humanitare për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë, Fondacioni ALSAR e nisi javën e fundit të nëntorit me realizimin e një projekti domethënës në dobi të personave me aftësi të kufizuara.
Në Tiranë u zhvillua këtë të hënë aktiviteti dhurues i 20 skuterave elektrikë për anëtarë të shoqatës “Shpresa për jetën”. Projektin e mundësoi mbështetja e organizatës IHH me qendër në Holandë.
Kjo ndihmë synon lehtësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuara, për një lëvizshmëri më të madhe në përditshmërinë e tyre, duke u hequr pengesa deri dje të pakapërcyeshme në ushtrimin e aktivitetit njerëzor në familje dhe në shoqëri.
Përfituesit ishin persona me aftësi të kufizuara nga dhjetë qytete e rrethe të ndryshme, nga Tirana, Durrësi, Dibra, Burreli, Tropoja, Gramshi, etj.
Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, do t’u mbante një fjalë të shkurtër të pranishmëve në dhurimin e skuterave, më së pari përfituesve dhe të afërmve të tyre shoqërues, përmes së cilës i shprehu mirënjohjen dhe falënderimin mbështetësit të projektit, organizatës IHH me qendër në Holandë, për kontributin e vazhdueshëm humanitar në vite.
Po ashtu u ripohua vendosmëria e Fondacionit ALSAR për të qenë sa më pranë shtresave në nevojë anembanë vendit me projekte të njëpasnjëshme humanitare.