Në vargun e takimeve që po zhvillon në Turqi, posaçërisht në Ankara, në kuadër të një vizite pune, kryetari i Fondacionit ALSAR është pritur dhe nga drejtuesi i sindikatës turke të Shëndetësisë.
Z. Devlet Sert, një mik, bashkëpunëtor e mbështetës prej një kohe të gjatë i Fondacionit ALSAR, e priti z. Mehdi Gurra në selinë e sindikatës dhe pati me të një bisedë të ngrohtë.
Ai i shprehu vlerësimet mikut nga Tirana për aktivitetet e kryera nga Fondacioni ALSAR gjatë vitit 2024 dhe u njoh në të njëjtën kohë me veprimtaritë e këtij viti.
Drejtuesi sindikalist siguroi mbështetjen nga Öz Sağlık-İş për Fondacionin ALSAR për dy muajt e fundit të këtij viti dhe për të gjithë vitin e ardhshëm e në vazhdim.
Z. Sert sugjeroi në bisedë se Fondacioni ALSAR duhet të planifikojë dhe të zhvillojë projekte që do t’i mundësonin të ardhura të rrjedhshme dhe, në këtë mënyrë, një bazë më të qëndrueshme të veprimtarisë.
Falënderime u shprehën nga z. Mehdi Gurra për mbështetjen e dhënë nga sindikata turke e Shëndetësisë gjatë këtij viti dhe më herët.
Një mik i vyer i ALSAR-it, z. Devlet Sert, i çmon dhe u jep mbështetje projekteve të fondacionit në fushat e veprimtarisë së tij, mes tyre projekteve të kurseve verore, të kurseve të gjuhës turke, dhe humanitare. Öz Sağlık-İş është një prej enteve turke me të cilat Fondacioni ALSAR ka një bashkëpunim serioz dhe frytdhënës.
Në takim ishte i pranishëm dhe prof. dr. Yılmaz Yeşil, një njohës mjaft i mirë i aktivitetit të Fondacionit ALSAR, dhe që po përgatit një vepër të kushtuar këtij aktiviteti në njëzet vite.

