Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, ka vizituar Delvinën më 28 prill, së bashku me atasheun e arsimit pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Gökmen Aksakal.
Ata kanë bërë një vizitë në bashkinë e qytetit, ku janë pritur nga kryetari i saj, z. Besmir Veliu.
Me të kanë patur mundësinë të zhvillojnë një bisedë të ngrohtë, të dëgjojnë për aktivitetin bashkiak në Delvinë e të mësojnë për nisjen e rikonstruktimit të objekteve të trashëgimisë kulturore.
Z. Mehdi Gurra e ka falënderuar kryetarin e Bashkisë për pritjen dhe ka ndarë me të mendime e pikëpamje për fusha me interes. Është folur për mundësitë e dhënies së ndihmës për njerëzit në nevojë, për të kontribuar për komunitetin vendas.
Vizita në Bashki pasonte vizitën e mëhershme të titullarit të saj në Fondacionin ALSAR.
Gjatë qëndrimit në Delvinë, kryetari i Fondacionit ALSAR dhe atasheu i arsimit pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë kanë vizituar dhe kompleksin e Xhamisë Mbret.



