Kryetari i Fondacionit ALSAR ka zhvilluar një vizitë në selinë e TİKA-s, Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim.
Z. Mehdi Gurra është pritur në vizitën në Ankara nga kryetari i TİKA-s, z. Abdullah Eren, në një takim ku ka mbizotëruar fryma miqësore.
Kryetari i TİKA-s është uruar për detyrën e re nga z. Gurra, që i ka shprehur dhe gëzimin e veçantë për postin mikut të vjetër të Fondacionit ALSAR.
Projektet e vitit në mbarim dhe projektet e vitit të ardhshëm u trajtuan në bisedën e ngrohtë. U fol në veçanti për aktivitetin botues të ALSAR-it, për botimet që përmbajnë dokumente historike dhe të periudhës osmane.
Ndërsa ka falënderuar kryetarin e Fondacionit ALSAR për vizitën, mikpritësi ka sjellë në vëmendje bashkëpunimin e deritanishëm dhe ka pohuar se ky bashkëpunim mes dy institucioneve, njëri shtetëror dhe tjetri joqeveritar, do të vijojë dhe në vitet e ardhshme.
Z. Gurra dhe z. Eren ndanë mendimin e njëjtë se ndërveprimi institucional i shërben forcimit të mëtejshëm të lidhjeve vëllazërore të dy popujve.
Bisedën e përshkoi mirëkuptimi i plotë dhe vizioni i qartë për thellimin e bashkëpunimit.
TİKA dhe Fondacioni ALSAR realizojnë prej vitesh projekte të përbashkëta, të dobishme dhe me ndikim mjaft pozitiv në fushat dhe shtresat e synuara.


