Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, ka bërë gjatë këtyre ditëve një vizitë pune në kryeqytetin britanik dhe është takuar me drejtorin e Qendrës për Studime Islame të Oksfordit, dr. Farhan Ahmad Nizami.
Takimi i planifikuar u zhvillua në kuadër të vizitës në Universitetin e Oksfordit dhe të një ligjërate të mbajtur nga Princ Leka II.
Në takim ishin të pranishëm Princ Leka II, Bahri Boja dhe Zymer Salihi, imamë të Xhamisë së Shqiptarëve në Londër, dhe Isa Boja, student në Universitetin e Oksfordit.
Mikpritësi u ka folur vizitorëve për historikun e qendrës së drejtuar prej tij, për themelimin, funksionimin dhe punët studimore, dhe u ka treguar mjediset në një shëtitje në tërë hapësirën, e cila përfshinte xhaminë, ambientet e kushtuara Lindjes së Mesme, etj.
Z. Mehdi Gurra e ka njohur drejtorin e Qendrës për Studime Islame të Oksfordit me aktivitetin e Fondacionit ALSAR dhe specifikisht me veprimtarinë botuese. Ai i ka dhuruar një nga botimet e ALSAR-it, atë të kushtuar kryeqytetit të Shqipërisë në 100-vjetorin e shpalljes si të tillë, “Albumi i Tiranës”.
Bashkëbiseduesit u pajtuan për takime të tjera në të ardhmen dhe për bashkëpunim institucional. U shpreh interesi në këtë kontekst për tituj nga Botimet ALSAR për bibliotekën e Oksfordit.
Falënderimet e ndërsjella e shoqëruan takimin në nisje dhe në mbyllje të tij.




