Kryetari i shoqatës së sociologëve të Turqisë zhvilloi një vizitë në selinë e Fondacionit “ALSAR”. Prof. dr. Sami Şener në këtë vizitë shoqërohej nga Prof.dr Ebubekir Sofuoğlu pedagog i fakultetit të Historisë në Universitetin e Sakaryas në Turqi si dhe drejtori i Shtëpise Botuese “İnkilab” Stamboll, Z. Hasan Güneş. Ata u pritën nga Z. Mehdi Gurra kryetar i Fondacionit ALSAR, i cili pas urimit të mirëseardhjes i njohu miqtë e nderuar me misionin dhe vizionin e institucionit që drejton, duke i bërë një përshkrim të hollësishëm veprimtarisë arsimore, kulturore dhe humanitare të fondacionit ALSAR në shërbim të shoqërisë shqiptare. Në fokus të këtij takimi të zhvilluar në një frymë të ngrohtë dhe miqësore, biseda u përqëndrua edhe në fushat ku mund të zhvillohet marrëdhënia e bashkëpunimit ndërinstitucional ku ndër të tjera u theksua çështja e prezantimit të kulturës shqiptare nga pikëpamja sociologjike për studiuesit në Turqi, si një dimension i rëndësishëm i forcimit të marrëdhënieve kulturore ndërmjet dy vendeve tona. Prof. dr. Sami Şener nga ana e tij vlerësoi rolin dhe kontributin e Fondacionit “ALSAR” në këtë drejtim, duke u ndalur veçanërisht në iniciativën e Fondacionit Alsar për përkthimin në turqisht të veprës se Prof.dr. Zyhdi Dervishit “Nëpër degëzime të kulturës Shqiptare”. Kjo vepër është përkthyer nga Alsar në gjuhën turke dhe së shpejti do të botohet në turqi. Ai shprehu bindjen se marrëdhëniet e bashkëpunimit do të forcohen në të ardhmen duke realizuar e projekte me interes të përbashkët institucional.