Fundi i stinës së verës sjell dhe mbarimin e kurseve verore, të hapura nga Fondacioni ALSAR, në bashkëpunim me donatorë të huaj.
Punonjës të fondacionit e ndoqën nga pranë gjatë javës së shkuar zhvillimin e këtyre kurseve në pjesë të ndryshme të vendit. Me interes qe të shihej efikasiteti i këtyre kurseve verore në edukimin dhe në zbavitjen e shëndetshme të fëmijëve në muajt e verës.
Konstatimet ishin pozitive, konkluzionet gjithashtu: një veprimtari e përvitshme e ALSAR-it, kurset verore u vlejnë vërtet fëmijëve për ta kaluar si duhet kohën e lirë, për t’u dëfryer e për të mësuar gjëra të reja.
Kurset verore kanë qëndruar të hapura për tre muaj në qytete dhe qyteza nga veriu në jug, ndjekur nga rreth 1000 fëmijë të moshës 8-15 vjeç. Krahas mësimit të dhënë nga një mësues për çdonjë prej 30 kurseve, fëmijëve u janë organizuar shëtitje dhe aktivitete të tjera argëtuese.
Si e ardhmja e vendit, si brezi më i ri, është shumë e rëndësishme që të tregohet vëmendje në formimin e karakterit të fëmijëve, në brumosjen e tyre me cilësitë më të mira njerëzore, e të mbahen larg ata nga veset, nga gjërat e dëmshme dhe të pamoralshme, aq të përhapura në këtë kohë. Nga kjo pikëpamje, kurset verore të ALSAR-it i shërbejnë edukimit etiko-moralo-besimore të fëmijëve, ua bëjnë atyre cilësor kalimin e muajve të pushimit.
Pas ca ditësh, fëmijët i presin bankat e shkollës, për t’u kthyer në kurset verore të Fondacionit ALSAR sërish në verën e ardhshme.