Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë trajtohen në një panel me organizim sindikal, pjesëmarrës e folës dhe kryetari i Fondacionit ALSAR

Gjithnjë në qendër të vëmendjes dhe në analizë të vazhdueshme, marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë janë marrë në trajtesë në një panel të organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH) dhe konfederata turke HAK-İŞ.

Mbajtjen e panelit në 101-vjetorin e këtyre marrëdhënieve, dhe nga këndvështrimi i kontributit të organizatave të punëmarrësve, e mundësoi mbështetja nga Ministria turke e Kulturës dhe Turizmit dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA).

Në panel ishin të pranishëm organizatorët, presidenti i BSPSH-së, z. Gëzim Kalaja, dhe kryetari i Konfederatës HAK-İŞ, z. Mahmut Arslan.

Ambasadën e Republikës së Turqisë e përfaqësuan atasheu për Arsimin, z. Metin Bulut, dhe atasheu për Çështjet Fetare, z. Adem Gerlegiz. TİKA u përfaqësua nga koordinatori i saj në Tiranë, z. Mustafa Ata.

Pjesëmarrës në panel ishte dhe kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.

Në të gjithë fjalët e mbajtura u theksua niveli i lartë i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe nevoja për forcimin e tyre, duke vënë në dukje miqësinë e hershme, rritur e pjekur në shekuj.

Marrëdhëniet tona janë qindravjeçare,” tha kryetari i Konfederatës HAK-İŞ, ndërsa atasheu për Arsimin pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë nënvizoi se, “Marrëdhëniet tona diplomatike kanë rrënjë të thella në historinë tonë.”

Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë përcolli përshëndetjet për president turk, Recep Tayyip Erdoğan, me falënderime për rolin e tij në ngritjen më lart të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Shqipërisë.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, i një prej institucioneve joqeveritare me kontribut të qenësishëm e të gjatë në forcimin e këtyre marrëdhënieve, iu drejtua pjesëmarrësve me një fjalë përshëndetëse, që e përmbante të koncentruar tërë kontekstin mbi të cilin po zhvillohej paneli.

Ju përshëndes në emër të Fondacionit ALSAR, si kryetar i tij, dhe në emrin tim, duke i uruar panelit punime të mbara!

Ju drejtohem organizatorëve sindikalistë me fjalët më të mira për iniciativën e marrë për t’i parë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë nga një këndvështrim tjetër. Për t’u përshëndetur janë dhe Ministria turke e Kulturës dhe TİKA, për mbështetjen e dhënë për organizimin e panelit.

Analizimi i marrëdhënieve midis dy vendeve përmes kontributit që do të diskutohet sot është me rëndësi për spektrin e gjerë të tyre dhe me përfitim në çdo pikëpamje. Forcimi i marrëdhënieve ndërshtetërore dhe ndërnjerëzore turko-shqiptare nuk është vetëm një detyrë qeveritare, na thotë ende pa nisur ky panel. Kontributi për to është i mirëpritur nga çdo organizim shoqëror!”, tha z. Gurra në fillim të fjalës.

Ai vazhdoi më tej, “Vendosja e marrëdhënieve zyrtare pati vitin e kaluar 100-vjetorin, të kremtuar në lartësinë e merituar dhe me përgjegjësinë e çuarjes më tej të tyre, në çdo kënd të jetës së dy popujve vëllezër. Fondacioni ALSAR organizoi me atë rast mbajtjen e një simpoziumi shkencor ndërkombëtar, me një prani të gjerë akademike dhe me një numër të konsiderueshëm kumtuesish nga vendi dhe nga jashtë, ligjërues mbi një varg temash në lidhje me peshën dhe zhvillimin e këtyre marrëdhënieve. Në vitin e 101-të të tyre, është radha e këtij paneli t’i trajtojë ato në kontekstin e kontributit të organizatave të punës.

Marrëdhëniet në një shekull nuk kanë patur lëvizje drejtvizore, me të katër stinët të përjetuara. Por sa herë ka patur vjeshtë apo dimër, dielli përsëri ka dalë tërë ndriçim dhe ngrohtësi. Në një ndarje në tre periudha nga shpallja e Republikës së Turqisë në vitin 1923, kjo e pas viteve ’90 të shekullit të kaluar e deri më sot është më e qëndrueshmja dhe më produktivja krahasuar me atë të para Luftës së Dytë Botërore dhe pasuesen pas saj. Përmbysja e regjimit diktatorial komunist dhe kalimi në një rend demokratik, sido që me një tranzicion të tejzgjatur, hapën një faqe të re në historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Turqinë. Kur kanë kaluar më tepër se tre dekada, lulëzimi i marrëdhënieve e arriti majën me partneritetin strategjik. Ngërçet sporadike janë përjashtime që konfirmojnë rregullin e marrëdhënieve më tepër se të mira, pavarësisht ardhjes dhe ikjes nga pushteti të çfarëdo qeverisjeje.

Nëse nga pala turke merita i ka takuar politikës së pandryshuar proshqiptare në çdo rrethanë, të vërtetuar në kohë të vështira për Shqipërinë, por dhe për Kosovën apo Maqedoninë e Veriut, kontribut të pamohueshëm në anën tonë për marrëdhënie të ngrohta dhe të frytshme kanë veç organeve shtetërore dhe organizatat joqeveritare. Si një prej tyre, Fondacioni ALSAR ka kontribuar në mënyrë të vazhdueshme për forcimin e marrëdhënieve, nisur nga pikëpamja se ato janë strategjikisht jetike për ne, për sigurinë, stabilitetin dhe përparimin tonë kombëtar.

Turqia ka një prani aktive dhe energjike në Shqipëri, me dallueshmëri të veçantë të TİKA-s, Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, të përfshirë në projekte të shumta humanitare, kulturore, restauruese, etj. Ndihma konkrete e dhënë nga shteti turk në fusha të ndryshme të jetës është më tepër se e konsiderueshme. Vëllimet e shkëmbimeve tregtare janë në rritje të vazhdueshme, me ndikim të qenësishëm në ekonominë shqiptare. Vala e nxënësve dhe studentëve të shkolluar në Turqi mbetet e pandërprerë, ndërsa qindra të rinj e të reja zgjedhin shkollat dhe universitetet turke për arsimim.

Ky nivel i lartë marrëdhëniesh nuk është një rastësi apo vetëm një puqje e thjeshtë interesash, as një sukses i përkohshëm diplomatik. Zanafilla e afërsisë tradicionale gjendet në shekujt e kaluar bashkë në histori, prej nga sot shumë doke, tradita, mënyra jetese, aspekte kulturore, në mos janë të njëjta, të përafërta janë gjithsesi te të dy popujt. Besimi ka po ashtu kontributin e tij si afrues mes njerëzve dhe dy popujve.”

Drejtuesi i ALSAR-it do të shtonte në pjesën e fundit të fjalës së tij se, “Mbajtja gjallë e kësaj lidhjeje vëllazërore, e kësaj marrëdhënieje miqësore, nuk duhet të jetë vetëm një prioritet shtetëror, as duhet lënë si i tillë. Për të shmangur të papritura të pakëndshme dhe zbehje apo prishje të mundshme të marrëdhënieve, nevojitet gjithmonë një presion pozitiv nga shoqëria, e përfaqësuar më konkretisht nga shoqata, organizata, fondacione, sindikata, etj. Një shembull përbën dhe organizimi i këtij paneli.

I takon, pra, dhe shoqërisë sonë ta ruajë të pacenuar marrëdhënien vëllazërore me popullin turk dhe ta bëjë më të fortë atë. Kur politikat shtetërore dhe vullneti shoqëror përkojnë, gjërat janë më të lehta! Ne vetëm përfitojmë nga kjo marrëdhënie!

ALSAR-i e ka bërë dhe do të vijojë ta bëjë pjesën e vet të punës, duke e parë forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-turke me dobi kombëtare.

Gjej mundësinë në këtë kuadër të vlerësoj para jush Konfederatën HAK-İŞ për kontributin e dhënë pa rezerva me aktivitete ndër vite. Në një bashkëpunim të gjatë me Fondacionin ALSAR, bazuar në një protokoll bashkëpunimi, HAK-İŞ ka mbështetur zhvillimin e projekteve dhe veprimtarive të ndryshme humanitare, arsimore dhe kulturore. Me ndihmën nga HAK-İŞ janë ndihmuar shtresa në nevojë, u është ardhur në ndihmë fëmijëve të shkollave, e ka marrë përkrahje të mirëfilltë veprimtaria jonë botuese. Vetë organizimi i këtij paneli ilustron angazhimin e gjallë të konfederatës turke HAK-İŞ për marrëdhënie të palëkundura dhe sa më të mira, të konsoliduara nëpërmjet aktivizmit shumëformësh.

Panelit i uroj sërish mbarëvajtje, në përsëritje njëkohësisht të përgëzimit për organizatorët dhe mbështetësit e këtij aktiviteti!”

Paneli i organizuar me iniciativën e dy enteve sindikaliste, “101-vjetori i marrëdhënieve Turqi – Shqipëri: kontributi i organizatave të punëmarrësve në marrëdhëniet midis dy vendeve”, e vuri në pah edhe njëherë frymën vëllazërore të marrëdhënieve, të forcuar dhe me kontribute të shoqërisë civile dhe të organizatave joqeveritare.

soap 2 day