Pasditen e së enjtes së 25 qershorit u mbajt në mjediset e Hotel “Tirana International” aktiviteti i kushtuar 82-vjetorit të ngjarjeve të Çamërisë, gjenocidit mbi çamët dhe shpërnguljes së tyre të dhunshme nga tokat e të parëve.
Me karakter historik, kulturor dhe edukativ, ai u organizua nga Fondacioni ALSAR, në bashkëpunim me Fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini” dhe Shoqatën “Tirana”.
Në një prani të gjerë, me personalitete, akademikë, historianë, mes të cilëve Princ Leka, aktiviteti i priti të pranishmit me një ekspozitë në hyrje dhe nisi me dëgjimin e himnit kombëtar.
Lajtmotivi, “Të jesh me Çamërinë do të thotë të jemi së bashku”, e shoqëroi aktivitetin. Moderatorja, gazetarja Luela Myftari, nënvizoi nevojën për reflektim historik dhe kulturor, ndërsa “Monologu i nënës çame”, i dëgjuar me recitimin e së ndjerës Margarita Xhepa, krijoi emocione të forta në sallë.
Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, mbajti njërën nga fjalët përshëndetëse, në të cilën tha:
“Të nderuar të pranishëm!
Respektues të këtij aktiviteti përkujtimor për Çamërinë dhe çamët!
Pasditja e vonë e kësaj dite të nxehtë vere na ka mbledhur thuajse në zemrën gjeografike të shqiptarisë për të përkujtuar vuajtjet e një pjese tonës, me të njëjtin gjak e me të njëjtat virtyte, për ta risjellë në kujtesë një thesar jetësor e kulturor pa të cilën identiteti ynë nuk do të ishte e nuk do të jetë kurrë i plotë!
Hapësira e gjerë pranë nesh, me të dalë nga këtu, ai shesh që pret e përcjell vizitues, festues, demonstrues e protestues, i perceptuar si i gatshëm për të përqafuar shqiptarin ngado që të vijë, do të mbetej kështu, simbolikisht, i paplotësuar, i mangët dhe ulok pa
drithërimën çame, pa ndier elektrizimin e vetvetishëm nga përmendja e fjalës ‘Çamëri’, pa u bërë mikpritëse e një tufe ngjyrash të ndezura që përfaqësojnë një traditë të gjallë jete, kulture, besimi, përjetimi e mbijetimi.
Në këto ditë e javë dëshmuese të shpirtit të patulatur të bashkëkombasit tonë, te i cili është rindezuar dashuria për Shqipërinë si përkushtimi i ngahershëm për familjen e tij, kjo sipërmarrje përkujtuese merr domethënie të veçantë dhe jep po aq mesazh të veçantë.
Çamëria është e jona, sado të duan të harrohet, sado të shkojë koha e sado e largët të duket pronësia shqiptare e saj!
Çamët janë prej nesh, janë ndër ne e janë me ne, sido që të lexohet historia, sido që të shkojë jeta e ngado që të hedhim rrënjë të reja!
Është amanet i pashprehur, është detyra jonë, është misioni ynë të mos e lëmë të tretet kjo lidhje gjaku e shpirti, të mos shkëputet e të mos humbasë një pjesë e ekzistencës sonë kombëtare, të mos na duket e huaj çfarë është në të vërtetë përbashkësi e jona!
Të jetuarit me Çamërinë në zemër nuk mund të jetë, pra, një zgjedhje, por paracaktim i vulosur nga vullneti i çdo shqiptari në kuptimin e plotë të fjalës!
Bashkëqytetarë, vëllezër e motra!
Organizimi ynë, i Fondacionit ALSAR, Fondacionit Çamëria ‘Hasan Tahsini’ dhe Shoqatës ‘Tirana’, përmbledh tre elemente kyç: kujtesën, drejtësinë dhe identitetin. Bashkëlidhja e tyre përkthehet në veprim aktiv për kauzën e shërbimit ndaj kombit!
Çamët dhe Çamëria nuk bëjnë dot pa kujtesën, nuk mund të zhbëhen nëse gjenden në vetëdijen e çdokujt. Çdo shoqëri është e destinuar të shkatërrohet pa drejtësi, prandaj është detyrimi ynë ta kërkojmë dhe drejtësinë për ta. Identiteti është shtyllë kurrizore e mbijetesës, është esencë e qenies së prekshme, e përpjekjes për të mos u shuar.
Fondacioni ALSAR nuk ka ndalur asnjëherë në dy dekada të veprimtarisë së tij ta sjellë e ta risjellë pa ndërprerë në vëmendjen e publikut çështjen çame. Nga Tirana në Konispol, vetëm dhe në bashkëpunim, kemi organizuar aktivitete, kemi mbështetur veprimtarë e kemi botuar literaturë për Çamërinë! Siç po bëjmë në këtë 82-vjetor të gjenocidit ndaj çamëve.
Me mirënjohje për bashkorganizuesit e sotëm, ju uroj të gjithëve mirëseardhjen! Shpresoj të kemi vënë një gur tjetër në murin e përtëritjes së çamëve, për të mos i lënë të shndërrohen thjesht në një kënd muzeor.”
Historiani dhe studiuesi Hajredin Isufi, i mbijetuar i gjenocidit grek, solli për të pranishmit kujtime të dhimbshme.
Këngët, “Lamtumirë Çamëri” dhe “Çamëri na mori malli”, kënduar nga Enkelejda Arifi dhe Hysni Alushi e ndezën atmosferën.
Nga shkrimtari Enver Kushi u vu në dukje prania çame, prania e meditimit dhe reflektimit, ndjekur nga konkluzioni për rishqyrtim të dramës çame.
Në aktivitet përshëndetën dhe drejtuesit e dy institucioneve të tjera bashkorganizuese. Z. Ruzhdi Keçi, kryetari i Shoqatës “Tirana”, kujtoi bashkëjetesën me familjet çame në fëmijërinë e tij, mirësinë e çamëve të ndërthurur me mikpritjen tiranase. Për z. Alket Veliu, kryetarin e Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, “Çamëria nuk u përket vetëm çamëve.” “Veprimtari si kjo na bashkojnë”, tha ai. “Me Fondacionin ALSAR dhe drejtuesin e tij, z. Mehdi Gurra, kemi bashkëpunim të gjatë dhe të shkëlqyer në të mirë të çështjes kombëtare… Faleminderit për mbështetjen që i keni dhënë Çamërisë,” u shpreh z. Veliu.
Firmosja e një rezolute i dha një tjetër përmasë aktivitetit. Në të lexohej, mes të tjerash: “Ne aktivistë dhe përfaqësues të të trija organizatave, të mbledhur në veprimtarinë përkujtimore me temë: ‘Kujtesë, Drejtësi dhe Identitet’, duke marrë në konsideratë instrumentet themelore të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtën humanitare, si dhe faktet historike të dokumentuara mbi dëbimin, vrasjet, konfiskimin e pronave dhe mohimin e të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë, ritheksojmë se çështja çame është një çështje e të drejtave të njeriut dhe e së drejtës ndërkombëtare, e cila kërkon një zgjidhje të drejtë, paqësore dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.”
Rezoluta rendiste një varg kërkesash për shtetin shqiptar dhe atë grek, si dhe për disa institucione ndërkombëtare, Bashkimin Evropian, Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, OSBE-në.
Ajo mbyllej me theksin në faktin se, “… çështja çame është një çështje e të drejtave të njeriut dhe jo thjesht një mosmarrëveshje dypalëshe. Shqiptarët e Çamërisë kërkojnë drejtësi, njohje, rikthimin e dinjitetit dhe respektimin e të drejtave të tyre themelore, pa
vënë në diskutim kufijtë ekzistues. Drejtësia nuk është hakmarrje; ajo është kushti i domosdoshëm për pajtim të vërtetë dhe marrëdhënie të qëndrueshme fqinjësore ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.”
Shfaqja e një materiali filmik mbi Çamërinë, interpretimet dhe prezantimet etnografike, si dhe këndi i librave për Çamërinë, e bënë të plotë aktivitetin përkujtimor.














