Fondacioni ALSAR e ka vijuar dhënien e bursave të ekselencës për studentë të institucioneve publike të arsimit të lartë për këtë vit akademik me një ceremoni në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë.
Aktiviteti i zhvilluar sot, më 15 prill, në mjediset e universitetit, nisi me fjalët e mbajtura për studentët nga rektori i entit pritës dhe nga drejtori administrativ i Fondacionit ALSAR.
Prof. dr. Lorenc Ekonomi falënderoi ALSAR-in për kontributin e vyer në mbështetjen e të rinjve në rrugën e dijes, si dhe për tërë bashkëpunimin me universitetin.
Fjala e z. Saimir Rusheku përmbante një përshkrim të përmbledhur për studentët të aktiviteteve humanitare, arsimore dhe kulturore të Fondacionit ALSAR. Si pasqyrë të arritjeve në 20 vite, ai nënvizoi bilancin dhe ndikimin mjaft pozitiv të ALSAR-it në jetën sociale.
Drejtori administrativ i Fondacionit ALSAR do të vinte në pah vëmendjen e posaçme të dhënë arsimit, projektet në këtë kuadër, dhe nevojën për angazhim të ndërthurur shumëpalësh në dhënien e ndihmës për një arsimim sa më të mirë të brezit të ri.
Shpërndarja e çeqeve të bursave për 32 studentë dhe një fotografi e përbashkët përbënë pjesën tjetër të ceremonisë.
Studentëve iu dhuruan dhe tituj nga Botimet ALSAR dhe të Shtëpisë Botuese Logos-A, në vazhdën e realizimit afatgjatë të projektit, “Libri, dhurata më e çmuar”. Ata patën mundësi të zgjidhnin mes titujve më tërheqësit në fushat e tyre të interesit.
Të gjithë ceremoninë e mbizotëroi atmosfera e ngrohtë; e tillë dhe prej kënaqësisë e mirënjohjes së reflektuar nga përfituesit e bursave të ekselencës.










