Mijëra familje të ndihmuara nëpërmjet projektit të kurbaneve, festë dhe solidaritet

Devotshmëria, sakrifica dhe solidariteti janë cilësi humane që Kurban Bajrami i bashkon, i ndërthur dhe i vë në pah në mënyrë të përsosur. Therja e bagëtisë në këtë ditë feste ka simbolikë të fortë; ajo përcjell mesazhe, e vetëdijëson njeriun, besimtarin, për pozitën dhe misionin e tij në këtë jetë, nxit përuljen dhe zemërgjerësinë.

Ndërsa solidariteti gjendet në bërthamën e Fondacionit ALSAR, është e vetëkuptueshme se Kurban Bajrami merr për këtë institucion domethënien e veprimtarive të shumta bamirëse, për të ndihmuar dhe gëzuar nevojtarët.

Projekti i kurbaneve është afirmuar prej shumë kohësh si një aktivitet i suksesshëm me seriozitetin e zbatimit të tij, të shtrirjes në shumë qendra të banuara, lokalitete dhe qytete. I konsoliduar me kalimin e viteve, projekti zgjerohet dhe përfshin më shumë të ndihmuar, njerëz e familje në pritje të bamirësisë.

Punonjësit e fondacionit sakrifikojnë ditët e tyre të festës për të kënaqur dhe lumturuar nevojtarët, pa pyetur për orët e gjata në diell e në shi, këmbëngulës në objektivin për ta realizuar siç duhet projektin e për ta shpërndarë sa më mirë mishin e kurbanit.

Projektin e çojnë sigurisht përpara kontribuesit e ndryshëm, organizata partnere dhe dhurues të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit.

Tirana, Elbasani, Kavaja, Lushnja, Librazhdi, Përrenjasi, Gramshi, Maliqi dhe Pogradeci ishin nëntë qytetet ku u shtri projekti i këtij viti, i 2022-shit. I realizuar në koordinim dhe bashkëpunim me autoritetet lokale, përmes tij përfituan mish kurbani 9005 familje, pjesë e shtresave sociale në nevojë.

Shprehjen e prekshme të solidaritetit shoqëror me njerëzit në nevojë, dhurimin e mishit të kurbanit, e mundësoi kontributi i çmuar nga “IGMG Hasene Hilfs-und Sozialverein”, me qendër në Gjermani, IHH me qendër në Holandë, WEFA, me qendër në Gjermani, “Emin”, me qendër në Gjermani, Organizata Botërore e Bamirësisë Islame, me qendër në Kuvajt, ATİB, me qendër në Gjermani, AL MUSTAFA, me qendër në Britaninë e Madhe, UK Islamic Mission, me qendër në Britaninë e Madhe, si dhe nga dhurues të ndryshëm, vendas dhe të huaj. Fondacioni ALSAR i falënderon të tërë këta kontribues!

Urimet për Kurban Bajramin e bashkëshoqëruan ngado projektin. Mirënjohja e të ndihmuarve për mishin e kurbanit ishte kudo e pranishme.

I Fondacionit ALSAR qe mesazhi i forcimit të devotshmërisë, vëllazërisë dhe solidaritetit!

soap 2 day