Projektet me karakter humanitar ndjekin njëri-tjetrin në përditshmërinë e Fondacionit “ALSAR”. Realizimi i një projekti nënkupton vetiu nisjen e një tjetri, me pak ose aspak hapësirë mes tyre.
Dita e parë e javës, 14 qershori, filloi me një aktivitet humanitar në Malësi të Madhe, për shpërndarje veshmbathjesh për banorë të kësaj zone.
Konceptuar si një ndihmë për familje në nevojë, kontingjenti me veshmbathje përmbante këmisha, fustane, këpucë dhe metrazhe. Në sasi të konsiderueshme, veshmbathjet ishin të ndara për burra, gra dhe vajza nën 12 vjeç.
Shpërndarjen e ndihmave në veshmbathje e bënë punonjës të Fondacionit “ALSAR”.
Malësia e Madhe është një zonë në veri të vendit që merr herë pas here vëmendjen e fondacionit tonë për realizime projektesh të ndryshme, siç janë ato me natyrë humanitare.
Fondacioni “ALSAR” e ka në themelet e tij aktivitetin humanitar, bamirës, si mision të ndërmarrë për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë të shoqërisë shqiptare, të pamundurve, të vetmuarve, fatkeqëve, jetimëve, etj. Mijëra janë përfituesit në 15 vite jetë të fondacionit, njerëz dhe institucione, falë ndihmës bujare kurdo dhe kudo që ka qenë e nevojshme.