Projekti humanitar i shpërndarjes së farërave bujqësore dhe plehrave kimike për familje të jetimëve ka vijuar dhe është përmbyllur në Tiranë.
Ndihmën e kanë përfituar 24 familje, që kanë marrë farëra misri, jonxhe dhe fasuleje, së bashku me një sasi plehu kimik.
Të pranishëm në shpërndarjen e ndihmës ishin kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, dhe koordinatori i TİKA-s në Tiranë, z. Mustafa Ata. Duke iu drejtuar përfituesve, z. Ata foli për veprimtarinë e TİKA-s në sferën humanitare, për projektet në fushën e bujqësisë, dhe për dobinë e ndihmës së dhënë, me të cilën këto familje jetimësh mund të përmirësojnë ekonominë dhe mirëqenien e tyre.
Nga aktiviteti i organizuar në bashkërendim mes TİKA-s, Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, dhe Fondacionit ALSAR përfituan në tërësi 50 familje jetimësh.
Sasia e parë e ndihmës, për 26 familje, u nda më herët gjatë kësaj jave në Lushnjë.
I gjithë aktiviteti përkon me afrimin e Ramazanit, muajit në të cilin solidariteti njerëzor shpërfaqet më tepër se në çdo pjesë tjetër të vitit.