Këtë të dielë të fundit të gushtit u përcollën për në Turqi ndjekësit e kurseve të gjuhës turke të organizuara nga Fondacioni ALSAR.
Nxënës, studentë, jetimë, të interesuar për mësimin e turqishtes, të tërë ndjekës të kurseve në tre qytete, në Tiranë, Kukës dhe Konispol, do të bëhen pjesë e një kampi veror në Turqi me një pjesëmarrje të gjerë. Ata do t’u bashkohen bashkëmoshatarëve, nxënësve, të ftuarve të tjerë nga Ballkani, kontinenti ynë, e me gjerë.
Të nisurit nga Tirana, 90 djem e vajza, do të jenë pjesë e aktiviteteve të shumta kulturore të parashikuara për pjesëmarrësit në kampin veror, do të vizitojnë institucione në qytete të ndryshme dhe do të priten nga funksionarë të tyre.
Ata do të ndjekin programe dhe aktivitete në Edirne, Çanakala, Stamboll, etj., do të njihen me kulturën e pasur turke, e do të kenë mundësi ta shohin nga afër funksionimin e sistemit arsimor turk.
Nga qëndrimi me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme do të krijojnë lidhje e shoqëri të reja.
Ky udhëtim u mundëson atyre një përjetim të veçantë, një përvojë të paharrueshme, një javë të pasur me aktivitet, që do t’ua bëjë më të dashur edhe gjuhën turke.
Programi zhvillohet me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TİKA, të Ministrisë të Kulturës dhe Turizmit në Turqi, dhe nën përkujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë.