Pak ditë pas mbarimit të Kurban Bajramit, dhe pas një veprimtarie të ngjeshur humanitare, që ka kërkuar përkushtim dhe energji të mëdha, meriton të bëhet një bilanc.
Me angazhimin tonë dhe mbështetjen e partnerëve dhe të dhuruesve të ndryshëm, u bënë kurban 1075 kokë bagëti të imëta.
WEFA, me qendër në Gjermani, mbështeti prerjen e 100 kurbanëve. Kontributi i HASENE-së, me qendër gjithashtu në Gjermani, ishte për 390 kokë bagëti të bëra kurban. Falë mbështetjes nga IHH me qendër në Holandë, u prenë 500 kokë bagëti. I konsiderueshëm qe dhe kontributi nga Mercy to Humanity, me qendër në Britani, përmes degës në vendin tonë, Mirësi për Botën, që mundësoi therjen për kurban të 50 kokëve bagëti. Donatorë të ndryshëm vendas dhe të huaj kishin po ashtu vendin e tyre në këtë kontribut, si mundësues për 35 kokë bagëti të therur si kurban.
Mishi i kurbanit u shpërnda brenda një kohe të shkurtër. E përfituan atë 4300 familje në një hapësirë të gjerë të vendit. Besimtarë, nevojtarë e jetimë e morën ndihmën në kuadër të festës, për të gëzuar e për ta përjetuar sa më mirë Kurban Bajramin.
Mishi i kurbanit u shpërnda në disa qytete dhe lokalitete; në Tiranë, Elbasan, Librazhd, Peqin, Cërrik, Pogradec, Korçë, Devoll, Maliq, Gramsh.
Ky aktivitet në Kurban Bajram ka krijuar tanimë traditën e tij në Fondacionin ALSAR. Veç karakterit humanitar, shpërndarja e mishit të kurbanit shpreh solidaritet njerëzor dhe shoqëror.
Të falënderuar për kontributin janë të gjithë partnerët dhe donatorët e lartpërmendur.