Qyteti bregdetar i Durrësit është bërë pritës i Kongresit Ndërkombëtar të Materialeve dhe Polimereve, një aktivitet shkencor i organizuar nga bashkëpunimi i disa institucioneve, organizma, universitete dhe shoqata të ndryshme.
Kongresi, i organizuar për të ndarë zhvillimet shkencore të lidhura me shkencën dhe teknologjinë e materialeve, mbahet çdo vit që nga 2017-ta. Temat e Kongresit të 6-të i përkasin kësaj fushe shkencore, për të cilat do të flasin një numër i konsiderueshëm kumtuesish nga vende të ndryshme.
Aktiviteti shkencor është përshëndetur nga shumë të ftuar, mes të cilëve kryetari i Fondacionit ALSAR, mbështetës i zhvillimit të Kongresit.
Mehdi Gurra do të thoshte në fjalën e tij përshëndetëse se, “Si kryetar i Fondacionit ALSAR, një mbështetës i vazhdueshëm i kësaj veprimtarie të suksesshme, kam bindjen se qëllimet për organizimin e këtij kongresi kanë për t’u përmbushur, ashtu si dhe në kongreset e mëhershme.”
Ndërsa theksoi se suksesin e këtij aktiviteti shkencor e dëshmon vijimësia e tij, ai shtoi: “Jetojmë në kohë ndryshimesh, sfidash dhe paqartësish të mëdha, lokale, rajonale, kontinentale dhe globale, mes tyre sociale dhe ekonomike, çka e bën më të kërkuar, më të nevojshëm dhe më të dëgjuar zërin e njerëzve të shkencës, prej të cilëve priten risi, novacione, dhënie zgjidhjesh shkencore.”
Përshëndetja e z. Gurra do të vijonte me fjalët, “Paraqitja e zhvillimeve shkencore në fushën për të cilën është mbledhur kongresi, shkëmbimi i gjerë i ideve, kumtesat e shumta, do të kenë me siguri produktin e tyre, prej nga përfitues do të jenë të gjithë, folës dhe dëgjues, pjesëmarrës në këtë sallë dhe lexues më tutje të materialeve të përgatitura enkas për këtu.
Kongresi do të hapë horizonte të reja, do të krijojë mundësi të reja, do të ushqejë njohje të reja dhe do të farkëtojë miqësi kolegësh. Për ne, mbështetësit e tij, është e rëndësishme që kongresi të zhvillohet në frymën e duhur, të jetë i dobishëm dhe t’u vlejë të gjithëve.”
“Fondacioni ALSAR e ka mbështetur me shumë dëshirë këtë kongres, një kontribut i vlerësuar me certifikatë mirënjohjeje nga organizatorët. E ka bërë këtë në kuadrin e vizionit dhe misionit të tij mbarëshoqëror, që, nga tre boshtet e tij, njërin e ka kulturor. Në pozitën e mbështetësit, ALSAR nuk e ka kursyer energjinë, kontributin e prekshëm, për mbarëvajtjen e kongresit”, nënvizoi përshëndetësi.
Mes të tjerash në fjalë, duke vënë në pah mungesën e botimeve të plota të kumtesave të mbajtura në këtë kongres shkencor në vite, z. Mehdi Gurra shprehu gatishmërinë që Fondacioni ALSAR t’i përmblidhte të tëra ato në një botim të vetëm.
Urimi për punime të mbara të kongresit mbylli fjalën e kryetarit të Fondacionit ALSAR.
Kongresi Ndërkombëtar i Materialeve dhe Polimereve i mban punimet deri më 17 shtator.