Në këtë muaj të bekuar e të begatë, ardhur me shumë të mira e për të mirën e njerëzisë, Fondacioni ALSAR zhvillon si për çdo vit një aktivitet të ngjeshur humanitar, për ta përcjellë ndihmën dhe gëzimin në çdo shtëpi.
Dalluar si ditë të solidaritetit human, këto të Ramazanit i karakterizon shpërndarja e ndihmave të shumta për familje dhe njerëz në nevojë.
Me mbështetjen nga WEFA, organizata e ndihmave me qendër në Gjermani, ka nisur një program i shpërndarjes së ndihmave ushqimore.
Nën kujdesin e dy përfaqësuesve të WEFA-s, të ardhur posaçërisht, dhe me organizimin e ALSAR-it, është kryer sot në Klos shpërndarja e 100 pakove me ushqime. Ndihmën e kanë përfituar familje në nevojë të zonës.
Veprimtaritë për shpërndarjen e pakove me ushqime do të vijojnë në ditët pasuese, në të tjera qendra të banuara e për të tjerë nevojtarë.