Aktivitete të njëpasnjëshme ishin pjesë e punës së Fondacionit ALSAR gjatë këtyre ditëve, si realizime projektesh në fushën humanitare dhe arsimore.
Në frymën e solidaritetit human dhe të angazhimit të përhershëm për t’iu gjendur pranë jetimëve dhe familjeve të tyre, një prej aktiviteteve kishte të bënte me dhurimin e koshereve të bletëve për dy familje jetimësh në qarkun e Elbasanit.
IHH me qendër në Holandë i dha mbështetje projektit dhe konkretizimit të tij. Përfaqësuesit e këtij organizmi humanitar, të pranishëm në terren, së bashku me punonjësit e Fondacionit ALSAR, ua dorëzuan kosheret përfituesve duke u përfshirë aktivisht në procesin dhurues.
Për secilën familje u dhuruan 30 koshere bletësh, 15 me bletë dhe 15 pa bletë, për t’u mbushur në kohën e shumimit të tyre.
Ndihma është një kontribut i prekshëm për përmirësimin e ekonomisë familjare të jetimëve, një dhuratë me ndikim në rritjen dhe qëndrueshmërinë e mirëqenies.
Aktiviteti i dha më tej vazhdimësi projektit, përsëritur periodikisht dhe në funksion të përkujdesit shumëplanësh për jetimët.






