Përgjatë ditës së sotme në qytetin e Shkodrës, në ambientet e Bibliotekës ‘Marin Barleti’ u promovuan tre veprat e autorit turk Adem Özköse: ‘Autostop në Xhenet’, ‘ I burgosuri’ dhe ‘Udhëtimi’ të botuara për publikun nga ‘Fondacioni Alsar’.
Në një sallë të tejmbushur dhe nën një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse u mbajtën fjalime përshëndetëse dhe referime mbi romanet tepër interesante të autorit Özköse.
Studiuesi Marlind Laçi shprehu vlersime mbi veprat dhe veçanërisht për njërën prej tyre duke u shprehur se: “Vepra ‘Udhëtimi’ mbart vlera jo vetëm letrare e historike por do i shërbente çdo kancelarie në botë si hartë e Islamit në rang global”.
Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Profesor Zija Vukaj shprehu vlerësime të thella mbi veprat e autorit Adem Özköse duke vënë në dukje kryesisht narrativën mjeshtërore se si autori i tregon ngjarjet në raport me lexuesin, ndërsa shkrimtari Xhahid Bushati pasi shprehu vlerësimet për veprën ‘I burgosuri’ u shpreh se: ‘Kjo vepër tregon qartësisht se çfarë mund të prodhojnë regjimet diktatoriale, të cilat mund ta bëjnë njeriun të përjetojë ‘Ferrin e Dantes’ që në këtë botë’
Pasi referimet mbi veprat përfunduan, fjalën e mori autori i veprave, gazetari dhe shkrimtari Adem Özköse ku shprehu përkushtimin e tij ndaj librit si institucion dhe më tej shpjegoi për publikun shkodran se në çfarë gjëndje emocionale dhe artistike i kishte shkruar këto tre vepra. Ra në sy interesimi i publikut teksa autori jepte fakte mbi përjetimet në lidhje me librin ‘I burgosuri’ ku autori ka hedhur në letër një histori tepër të trishtë ku vetë ai përjeton një situatë tepër të vështirë teksa si reporter i ngjarjeve në Siri merret peng nga bashkëpunëtor të regjimit të Asadit dhe vuan për disa muaj izolimin në birucat nëntokësore në Siri.
Fjala përmbyllëse u mbajt nga drejtuesi i ‘Fondacionit Alsar’ z.Mehdi Gurra i cili shprehu falenderimin për qytetarët e Shkodrës, gjithashtu në emër të ‘Fondacionit Alsar’ ofroi asistencën e tij në mbështetje për promovimin e talenteve të reja në fushën e letërsisë dhe jo vetëm në kuadër të afrimit të rinisë me librin.
Në përfundim të aktivitetit ‘Fondacioni Alsar’ dhuroi për publikun shkodran një kopje për çdo titull të veprave të sipërpërmendura të cilat u firmosën përzemërsisht nga autori Adem Özköse.