Fondacioni ALSAR zhvilloi në mesin e kësaj jave, më 23 janar, një veprimtari të karakterit kulturor dhe arsimor në Universitetin “Fan S. Noli”, e cila përmbante paraqitjen e dy titujve nga Botimet ALSAR dhe dhënien e këstit të parë të bursave për studentë të këtij institucioni të arsimit të lartë.
Moderimin e veprimtarisë me pjesëmarrje të gjerë e bëri prof. as. dr. Aida Mosko, zëvendësrektore e Universitetit “Fan S. Noli”, ndërsa mbajtën fjalë përshëndetëse rektori, prof. dr. Lorenc Ekonomi, dhe kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.
Në fjalën përshëndetëse të z. Gurra u vlerësua bashkëpunimi midis ALSAR-it dhe Universitetit “Fan S. Noli”, i forcuar ndër vite, dhe u nxitën studentët të angazhohen në ndërveprimin me fondacionin përmes aplikimeve për mbështetje, për studime të mëtejshme, e për realizime projektesh në lëmin botues, etj.
I pranishëm në veprimtari ishte dhe atasheu për arsimin pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Metin Bulut, i cili mbajti gjithashtu një fjalë të shkurtër.
Paraqitja e botimit, “Alfabetarja e gjuhës shqipe, 1879”, tanimë me tekst të transliteruar, pati për referues prof. dr. Emil Lafen dhe prof. dr. Ali Jasharin.
Për botimin tjetër, “Fjalori i homonimeve leksikore në gjuhën shqipe”, folën prof. dr. Seit Mansaku, prof. dr. Valter Memisha dhe dr. Olger Brame.
Prof. dr. Zyhdi Dervishi iu drejtua pjesëmarrësve me një paraqitje të veprimtarisë së Fondacionit ALSAR.
Pjesa e dytë e veprimtarisë iu kushtua dhënies së këstit të parë të bursave për studentë të ekselencës së Universitetit “Fan S. Noli” për këtë vit akademik.
Dhënia e bursave të ekselencës, me shumë vlerë për mbështetjen e të rinjve në rrugën e dijes, vijon e çohet përpara me kontributin e institucioneve partnere nga Turqia.
Një fotografi e përbashkët e organizatorëve dhe pjesëmarrësve shënoi përfundimin e veprimtarisë.