Botimet ALSAR po u paraqesin prej së mërkurës vizitorëve në Panairin e Librit në kryeqytet një numër të madh librash dhe një gamë të gjerë titujsh të rinj që spikasin për tematikën dhe cilësinë botuese.
Ndër të ndalurit në stendën e Botimeve ALSAR, si një vizitor i veçantë dhe tepër i respektuar, ishte këtë premte dhe nipi i poetit të madh turk, Necip Fazıl Kısakürek, të ndarë nga kjo jetë diçka më tepër se katër dekada më parë.
I mbërritur në Tiranë në kuadër të veprimtarive të Institutit Yunus Emre, z. Emrah Kısakürek, titullar i Botimeve “Büyük Doğu”, u prit në stendën e Botimeve ALSAR nga kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.
Urimin për mirësearedhjen e pasoi një përshkrim i aktivitetit botues të Fondacionit ALSAR, i fushave të interesit dhe i qasjes për të sjellë tituj sa më të veçantë dhe më të dobishëm për lexuesit.
Drejtuesi i Fondacionit ALSAR e njohu mikun nga Turqia, pasardhësin e Necip Fazıl-it të mirënjohur, me një varg botimesh, shoqëruar me shpjegime mbi brendinë dhe mbi arsyet që kanë çuar në nxjerrjen e tyre nga shtypi.
Shkëmbimi i ideve të lidhura me lëmin botues, artikulimi i perspektivave që do t’i bënin botimet gjithnjë e më të kërkuara, si dhe përcjellja e mbresave nga ky panair, e bënë të këndshme vizitën dhe bisedën.
Z. Mehdi Gurra i dhuroi vizitorit të veçantë, z. Emrah Kısakürek, botime të ALSAR-it në gjuhën turke.