Nis punimet simpoziumi shkencor ndërkombëtar me temë “Marrëdhëniet shqiptaro-turke: E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja”

Në ceremoninë e hapjes së simpoziumit të organizuar në Tiranë nga Fondacioni ALSAR, nën përkujdesjen e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë dhe 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, të institucioneve zyrtare të Shqipërisë, diplomatë dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme.

Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes, duke iu referuar edhe temës së simpoziumit, ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, u shpreh se në këtë mënyrë do të njohin më mirë të shkuarën e përbashkët mes dy vendeve, të sotmen dhe të ardhmen. Ndër të tjera z.Atay shtoi: “Republika jonë u kurorëzua me luftën kombëtare e cila qe burim frymëzimi për gjithë popujt e vuajtur në botë. Ne tani 100-vjetorin e Republikës po e festojmë në Shqipërinë mike dhe ne jemi tepër të gëzuar për këtë. Brenda këtij viti ne festojmë dy përvjetorë tepër të rëndësishëm të lidhur me njëri-tjetrin”, tha Atay.
Ambasadori Atay u shpreh se marrëdhëniet e sotme mes dy vendeve janë tepër të veçanta dhe kjo sipas tij është tepër e rëndësishme. Ai shtoi se falë lidhjeve kaq të fuqishme njerëzore dhe sociale solidariteti mes dy vendeve ka arritur në majë.
“Sot Turqia dhe Shqipëria janë anëtarë të NATO-s dhe kandidatë për në Bashkimin Evropian dhe kanë si objektiv të përbashkët strategjik integrimin në BE. Të dy vendet e kanë lidhur partneritetin e tyre strategjik në vitin 2021 dhe në këtë mënyrë vazhdon bashkëpunimi si në planin rajonal ashtu dhe ndërkombëtar. Të dyja vendet kontribuojnë me rëndësi për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes që janë të brishta në Ballkan”, u shpreh Atay.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, gjatë fjalës së tij tha simpoziumi synon t’i analizojë marrëdhëniet ndërshtetërore shqiptaro-turke në jubileun e tyre në një sfond akademik.
“Tri dekadat e fundit flasin vetë për lulëzimin e marrëdhënieve tona, ndërshtetërore, zyrtare, dhe në shoqëritë respektive. Türkiye ka treguar se është një partner i pazëvendësueshëm, i gjendur pranë nesh në çdo moment kritik, një përkrahëse e fortë e rrugës sonë evropiane. Është fat për ne që e kemi atë në krah, pa asnjë pretendim ndaj sovranitetit tonë”, tha Gurra.
Gurra shtoi se Shqipëria dhe Türkiye kanë bashkëpunim të admirueshëm ekonomik, kulturor, arsimor dhe ushtarak dhe shtoi se partneriteti strategjik është një arritje domethënëse e dy vendeve anëtare të NATO-s. Ndër të tjera kryetari i Fondacionit ‘ALSAR’ z.Mehdi Gurra vuri theksin dhe shtoi se: “Në planin ekonomik, rritja e vëllimeve të tregtisë midis dy vendeve është në rrugën e duhur, duke kujtuar këtu se Turqia është ndër investitorët e huaj më të mëdhenj në Shqipëri. TİKA vijon të jetë një mbështetëse e fuqishme e aktiviteteve kulturore në vendin tonë dhe sipërmarrëse në shumë projekte të ndryshme. Prania turke në shëndetësi dhe arsim është një investim disadekadësh, shumë i nevojshëm, i mirëpritur dhe i lavdëruar. Kërkon megjithatë tërheqje vëmendjeje fakti se qindra studentë të financuar nga shteti turk e të shkolluar në shkollat dhe universitetet turke nuk janë integruar akoma në shoqërinë shqiptare në atë mënyrë që t’i japin impulsin e pritur forcimit të marrëdhënieve ndërmjet dy popujve. Ndihmesa në ushtrimin e besimit, në përçimin e Islamit, një nevojë shpirtërore e papërmbushur plotësisht e qytetarëve tanë muslimanë, i thërret vëllezërit turq në angazhim më të madh, më të prekshëm, më thelbësor.
Ne presim dhe në të ardhmen nga Turqia investime në çdo fushë ku është e mundur, ashtu siç presim nga shteti shqiptar ta respektojë plotësisht partneritetin strategjik të kësaj marrëdhënieje të madhe vëllazërore!”

Punimet e simpoziumit shkencor u përshëndetën edhe me një mesazh nga Kryetari i Parlamentit të Turqisë Nurman Kurtulmuş: ” Ju shpreh falenderimet e mia për ftesën tuaj elegante në simpoziumin me temë “e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-turke” të organizuar nën kujdesin e ambasadës së Republikës së Turqisë në kuadër të 100 vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë dhe 100 vjetorit të marrëdhënieve Turko-Shqiptare.
Dëshiroj të ritheksoj vullnetin tonë për të çuar përpara mbi bazën e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të Ballkanit, marrëdhëniet tona shekullore me Shqipërinë, me të cilën kemi lidhje rrënjësore të përbashkëta njerëzore, kulturore dhe historike.
Dëshiroj që simpoziumi në të cilin me keqardhje nuk mund të jem prezent për arsye të programeve të paracaktuara, të kalojë me sukses dhe te jetë një element kontribues në qëllimin për thellimim e mëtejshëm të marrëdhënieve Turko-Shqiptare. Përcjell falenderimet e mia kryesisht për Kryetarin e Fondacionit ‘ALSAR’, z. Mehdi Gurra dhe të gjithë atyre që punuan për mbarëvajtje në organizimin e këtij simpoziumi, duke përshëndetur dhe uruar suksese pjesëmarrësëve dhe të ftuarëve.”

Në simpoziumin i cili do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme do të mbajnë kumtesat e tyre studiues dhe diplomatë të ndryshëm nga Shqipëria, Turqia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut

soap 2 day