Një projekt humanitar me një kohëzgjatje të konsiderueshme sapo ka nisur zbatimin, me fokus ndihme komunitetin e romëve.
Zhvillimi i kursit të rrobaqepësisë do t’u mundësojë vajzave e grave rome aftësimin për të qepur, duke u hapur perspektivën për punësim dhe për sigurim të të ardhurave të nevojshme për mbajtjen e familjeve.
Projektin e mbështet organizata UKİD, me qendër në Stamboll, ofruese e përkrahjes sponsorizuese gjatë tërë tremujorit të funksionimit të kursit.
Ky projekt humanitar organizohet në bashkëpunim me shoqatën “Romët për Integrim”, me përfitues rreth 20 familje, nëna dhe bija të komunitetit rom. Kursi do të zhvillohet në mjediset e kësaj shoqate.
Ndjekëset e kursit do të marrin në mbarim të tij certifikatat përkatëse. Përveç këtij kontributi humanitar në aspektin e formimit profesional, është menduar dhe dhënia e një ndihme të përmuajshme në pako ushqimore për to dhe, në këtë mënyrë, për familjet e tyre.
Projekti që sapo ka nisur të realizohet përbën ndihmën humanitare të radhës së Fondacionit ALSAR për romët, një komunitet me nevoja të vazhdueshme mbijetese. Si dhe më herët, atë e mundëson ndërveprimi me institucione partnere, posaçërisht turke.