Me urimin për udhëtim dhe shkollim të mbarë janë përcjellë për në Turqi nxënës të cilët kanë fituar të drejtën për ta vijuar atje ndjekjen e shkollës së mesme.
Të përcjellë nga prindër dhe të afërm, ata janë nisur drejt një vendi ku do ta ndiejnë menjëherë mikpritjen dhe do ta kenë të lehtë përshtatjen.
Të ndihmuar nga Fondacioni ALSAR në procesin e aplikimit, të rinjtë dhe të rejat do të fillojnë një udhëtim të ri në fushën e dijes në një rrugë të shkelur nga shumë të tjerë para tyre.
Të mirënjohura për standardet e larta, institucionet arsimore turke janë prej dekadash zgjedhje e parë për një numër të madh nxënësish dhe studentësh shqiptarë.
Shkollimi dhe formimi i duhur i brezit të ri është një prej përparësive të Fondacionit ALSAR në fushën e aktivitetit të tij arsimor. ALSAR ka një kontribut të qenësishëm në dërgimin e qindra të rinjve në shkollat dhe universitetet në Turqi.