Pas një shkëputjeje vitin e shkuar prej pandemisë, prej ditësh kanë nisur kurset verore të Fondacionit “ALSAR” për edukimin etiko-moral të fëmijëve.
Hapja dhe zhvillimi i këtyre kurseve ka një traditë të krijuar prej kohësh, me zanafillë idenë dhe bindjen se e nesërmja e shoqërisë varet shumë nga mënyra si rritet sot brezi më i ri, fëmijët, si i jepet formë karakterit të tyre, si bëhen gati ata për të nesërmen, mbi ç’parime do të ndërtohet e ardhmja e tyre, si do të mësohen ta kërkojnë begatinë, lumturinë.
Edukimi në shkollë është i pamjaftueshëm për fëmijët, sidomos në një vit arsimor si ky i sapombylluri, me kufizime të shumta dhe në ndjekjen e mësimit. Programet shkollore të formimit të përgjithshëm e kanë të pamundur t’ia përcjellin fëmijës disa elemente bazë për rritjen si duhet të tyre. Sipërmarrje si kjo, për hapjen e kurseve verore, i shërbejnë mbushjes së boshllëqeve në edukimin etiko-moralo-besimor të fëmijëve. Kurset i japin larmi ditës së fëmijës, ia mbushin atë, ia bëjnë më të bukur këtë stinë.
I ndjeshëm për mirërritjen e fëmijëve, Fondacioni “ALSAR” e ka konceptuar gjithmonë dhënien e ndihmës për ta si në planin ekonomik dhe në atë edukativ. Mirëbërja bëhet e plotë kësisoj, ngaqë u shërbehet kërkesave të tyre materiale dhe shpirtërore.
Kurset do të jenë të hapura gjatë tre muajve, për fëmijë të moshës 8 deri në 15 vjeç. Çdonjë prej 30 kurseve e drejton një mësues. Përfitues nga ndjekja e kurseve etiko-morale, të mësim-besimit, do të jenë rreth 1000 fëmijë. Veç mësimit në kurse, është menduar dhe për argëtimin e të vegjëlve, nëpërmjet, për shembull, shëtitjeve të organizuara për pushim e dëfrim.
Projekti i kurseve verore realizohet nga veriu në jug; të hapura do të jenë këto kurse për fëmijët nga Kopliku në Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Lushnjë, Fier, Berat, Këlcyrë, etj., për të përmendur vetëm një numër qytetesh.
Realizimin me sukses të projektit e mbështesin disa donatorë të huaj, të cilëve u shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë.