Fondacioni “ALSAR”, organizoi më datë 16 dhjetor 2018 një ekskursion në qytetin e Prizrenit , për nxënësit që frekuentojnë kurset e gjuhës turke ne qytetin e Kukësit.
Një veprimtari argëtuese e zhvilluar nën moton “Të njohim trashëgiminë kulturore e historike të kombit tonë”. Kjo veprimtari kulturore konsistonte në njohjen e nxënësve me vlerat e kulturës, traditës, e historisë së vendit tonë, duke u ofruar atyre një udhëtim mbresëlënës, një guidë të pasur kulturore, historike e turistike në qytetin e Prizrenit, Qyteti i Prizrenit është i njohur që nga antikiteti, si një vend unik në Ballkan, për vlerat e trashëgimisë kulturore, të civilizimeve dhe religjioneve të ndryshme. Falë pozitës së favorshme gjeografike, gërshetimit harmonik të këtyre kulturave gjatë historisë dhe një numri të lakmueshëm të monumenteve të të gjitha kohërave, Prizreni zë vend të veçantë edhe në historinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte përpjekje serioze për mbrojtjen e integritetit tokësor dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve.
Qyteti i Prizrenit me plot të drejtë mban epitetin e “qytetit muze”, muzeut nën qiellin e hapur” për t’u radhitur si njëri ndër qytetet më të bukura të Kosovës.
Nxënësit vizituan Kalanë që ngrihet në kodrën mbi qytet, Xhaminë e Sinan Pashës, Hamamin e Gazi-Mehmet Pashës, Urën e Vjetër të Gurit, Muzeun e Lidhjes së Prizrenit si pjesë e një mozaiku të vlerave të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare.
Duke synuar në këtë mënyrë përçimin e vlerave të edukimit dhe ndjenjave të krenarisë për vendin tonë, për të ndezur tek nxënësit tanë dëshirën që ne mund dhe duhet të punojmë për të.
Dreka u shijua në një restorant tradicional, i cili ndodhej buzë lumit, nga ku u sodit edhe bukuria që i fal lumi këtij qyteti. Një ditë e bukur plot aktivitete dhe argëtim .