Ramazani i këtij viti ishte i veçantë, sepse vinte pas një periudhë të gjatë pandemie, dyvjeçare, gjatë si cilës ai ishte përjetuar me kufizime, pa atë ndjesinë genuine që e përshkon fund e krye. Vetë jeta jonë kishte patur për një kohë mjaftueshëm të lodhshme privimet e veta, nga lëvizja e kufizuar te kufizimi i jetës sonë shoqërore.
E për këtë arsye, së bashku me gëzimin e sjellë gjithherë prej tij, Ramazani këtë herë pati dhe la një shije krej tjetër, shumë më të fortë, shumë më mbresëlënëse. Dhe, nëse qëndrojmë ende në shinat e përjetimit të përgjithshëm, karakteristikë dalluese ishte masiviteti, bash dhe për çka parashtruam më lart.
Ndjenja të larta humane u rishfaqën me forcë, të jetuarit si në ishull ia la vendin kalimit bashkë mes njerëzve të kohës, agjërimit, hapjes së dyerve, ngrënies e lutjes së bashku. Prej hapjes së zemrave gufoi dashuri e humanizëm i sinqertë, me shkëlqimin e ngjashëm të ditëve dhe netëve të këtij muaji.
Në këtë shprehje të natyrshme, të vetvetishme, të vëllazërisë, të të menduarit për tjetrin si për veten, aktiviteti humanitar i Fondacionit ALSAR ishte i destinuar të përshpejtohej, të zgjerohej, të përfshinte më shumë njerëz dhe pikëmbërritje.
Nuk është e nevojshme të thuhet më se ditët e solidaritetit human ndjekin rregullin e tyre të përsëritjes në ALSAR sa herë që Ramazani troket. As se gjithçka bëhet në një muaj, se ç’ndihmë jepet, është në themelet e misionit që fondacioni ia ka ngarkuar vetes prej momentit kur e ka nisur rrugëtimin e tij. Ky aktivitet nuk përbën risi tanimë; çudi do ishte në do mungonte!
Po, mund të thuhet ama se një përgatitje e madhe u paraprin ditëve të solidaritetit human, për të bërë planet, për të skicuar hartën e shpërndarjes së ndihmave, për t’u sinkronizuar me dhuruesit, dhe për të mos i lënë asgjë rastësisë.
Aktiviteti në Ramazanin e sapolarguar u kanalizua në tre drejtime: shpërndarje pakosh me ushqime, shtrime iftaresh, dhe dhënie ndihme për fëmijët jetimë, përgjithësisht në veshmbathje, por dhe financiare.
Të shumtë ishin kontribuesit, dhuruesit, për të cilët falënderimi është i vetëkuptueshëm. Shoqata, organizata, fondacione, institucione, ambasada, bashki dhe sindikata, si dhe donatorë vendas, kontribuan të gjithë që dhe më të varfrit, më fatkeqët, invalidët, më të pamundurit, më të vuajturit, t’i gëzoheshin qoftë dhe fare pak Ramazanit.
Në tridhjetë ditë e diçka më tepër u shpërndanë si ndihmë 8000 pako me ushqime, u shtruan apo u paketuan iftare për 9000 persona, dhe u ndihmuan 600 fëmijë jetimë!
TİKA, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, dha 3500 pako ushqimore ndihmë, 500 pako dha IHH-ja me qendër në Holandë, 1556 dhuroi HASENE-ja, kontributi nga ATİB ishte me 60 pako, Türkevi dhe Avrupa Yardım Vakfı ndihmuan me nga 50 pako, 200 pako ishin donacion i HAYRAT-it, WEFA kontribuoi me 250 pako, të EMIN-it ishin 70 pako, Bashkia e Bağcılar-it, në Stamboll, dhuroi 100 pako, nën kujdesin e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve dhe Ambasadës së Kuvajtit në Tiranë u shpërndanë 150 pako, organizimet sindikaliste turke, HAK-İŞ dhe Hizmet-İş dhuruan të njëjtin numër pakosh, 150, İyiliğe Çağrı Uluslararası İnsani Yardım Derneği erdhi me 200 pako, IHH-ja me qendër në Belgjikë iu bashkua aktivitetit humanitare me 100 pako, ndihma nga DİTİB përbëhej nga 500 pako, dhe donatorë vendas dhanë si kontribut 564 pako. E tërë sasia u shpërnda nëpërmjet organizimit dhe pranisë aktive të ALSAR-it në terren, ngado, nga Tirana e kudo në Shqipëri.
Për shtrimin e iftareve, ose shpërndarjen e tyre të paketuar, e rëndësishme ishte gjithashtu ndihma e donatorëve. Iftaret nën emrin dhe kontributin e TİKA-s ishin për 3000 persona, në iftaret e IHH-së me qendër në Holandë morën pjesë 500 persona, 4000 të tjerë shijuan iftaret e HASENE-së, WEFA dhe EMIN shtruan iftare përkatësisht për 300 dhe 500 persona, İyiliğe Çağrı Uluslararası İnsani Yardım Derneği shtroi iftar për 200 persona, IHH-ja me qendër në Belgjikë thirri në iftar 100 persona, ndërsa iftaret për 350 persona ishin kontribut i donatorëve vendas.
Fëmijët jetimë iu gëzuan në Ramazan veshjeve të reja, dhe një numër prej tyre dhe ndihmës financiare, dhënë dhuratë nga partnerë të Fondacionit ALSAR. IHH-ja me qendër në Holandë dhuroi veshmbathje për 100 fëmijë jetimë, Avrupa Yardım Vakfı për 11 fëmijë jetimë, WEFA u dhuroi veshmbathje 250 fëmijëve jetimë dhe dha ndihmën finaciare të zekatit për 50 jetimë, EMIN u kujdes për veshmbathje të reja për 75 jetimë, një kontribut i bashkëshoqëruar me ndihmë financiare për 50 jetimë, İyiliğe Çağrı Uluslararası İnsani Yardım Derneği veshi me rroba të reja 50 fëmijë jetimë, IHH-ja me qendër në Belgjikë dha ndihmë financiare dhe në veshmbathje për 10 fëmijë jetimë, Organizata e Bamirësisë me qendër në Kuvajt pati për kontribut veshmbathje për 100 jetimë, dhe për veshmbathjet e reja të katër jetimëve u kujdesën dhurues vendas.
E tërë kjo pasqyrë me shifra dhe emra dhuruesish flet së pari për energjitë pozitive dhe ndjenjën vëllazërore e të humanizmit që sjell e ndez muaji i Ramazanit. Së dyti, ajo tregon në mënyrë fare të përmbledhur madhësinë e veprimtarive të zhvilluara në një muaj nga Fondacioni ALSAR. Së treti, shpreh në mënyrë të nënkuptuar besimin e krijuar në vite nga partnerët për korrektësinë dhe angazhimin maksimal të fondacionit tonë, si dhe emrin e mirë të krijuar prej tij nga puna e palodhur në ndihmë të shtresave në nevojë.