Fondacioni “ALSAR” në kuadër të zhvillimit të veprimtarive të tij kulturore organizoi një udhëtim turistik në Turqi, me mbështetje të Drejtorisë së Komuniteteve Turke dhe Mike Jashtë Vendit (YTB), duke mundësuar dërgimin e një grupi prej 50 nxënësish dhe studentesh që ndjekin kurset e gjuhës turke në Shqipëri.
Një udhëtim 5 ditor me autobus, në disa qytete të Turqisë, duke synuar t’ju ofrojë pjesëmarrësve një guidë të pasur kulturore, historike e turistike në qytetet Edirne, Çanakkale, Izmir, Bursa dhe Stamboll, si pjesë e një mozaiku të trashëgimisë kulturore botërore, ku u alternuan në mënyrë të larmishme zhvillimet e vizitave në parqet kombëtare turistike, muzetë arkeologjike, kulturore, historike, dhe objektet e kultit etj.
Ky udhëtim mbresëlënës, u karakterizua nga mikpritja vëllazërore dhe përkushtimi maksimal i donatorëve, për ti argëtuar e ofruar fëmijëve çaste të paharruara gëzimi e lumturie, duke lënë në këtë mënyrë gjurmë të pashlyera në memorien e tyre.