Në një ditë përkujtimore për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë, në një përvjetor, Fondacioni ALSAR mbajti në Hotel “Tirana International” në kryeqytet një konferencë shkencore.
Me një pjesëmarrje të gjerë, konferenca me titull, “80 vjet nga gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë”, u ndoq dhe u përcoll me interes.
Ajo u hap me himnin kombëtar dhe me fjalën e mbajtur nga kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.
Për pjesëmarrësit u shfaq një dokumentar i shkurtër për Çamërinë dhe vuajtjet e çamëve.
Në seancën e parë, të drejtuar nga prof. dr. Fatmira Rama, u mbajtën gjashtë kumtesa. Akademik prof. dr. Beqir Meta trajtoi ndikimin e çështjes çame në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Kumtesa e radhës qe e dr. Halil Hysenit, titulluar, “Çamëria në dosjen diplomatike të Shqipërisë”. Akademik prof. dr. Pëllumb Xhufi mbajti kumtesën, “Çamët dhe pushtuesit: krijimi i një miti”.
Fjalën e morën më pas prof. asoc. dr. Ledia Dushku, dr. Erarba Çiraku dhe Enver Kushi, me kumtesat e titulluara respektivisht, “Të padëshiruarit! Procesi i krjimit të hapësirave etnikisht homogjene dhe krahina e Çamërisë (1912-1944)”, “Çështja çame në politikën e jashtme italiane”, dhe “Deklarata e kryeministrit grek Teodoros Pangallos, e vitit 1926, për marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe Çamërinë”.
Seancën e dytë, me pesë kumtesa, e drejtoi akademik prof. dr. Beqir Meta. Para mikrofonit doli e para prof. dr. Fatmira Rama, trajtesa e së cilës mbante titullin, “Ndikimi i Komisionit Miks të Lidhjes së Kombeve për shkëmbimin e popullsive greko-turke në dëbimin e shqiptarëve nga Greqia gjatë viteve 1923-1926”. Dr. Sali Kadria trajtoi situatën në Çamëri në vitet 1928-1933. Nga dr. Qerim Lita do të mbahej trajtesa, “Çështja çame gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Kumtuesi i parafundit, Ahmet Mehmeti, u ndal te ligji i luftës me Shqipërinë dhe gjenocidi mbi minoritetin shqiptar në Çamëri. Trajtesa e fundit e konferencës shkencore u mbajt nga Petrit Zeneli, me temë, “Masakra greke e 10 korrikut 1914, në Panarit të Korçës”.
Stenda me fotografi dhe të dhëna mbi Çamërinë dhe çamët, punuar me kujdes, ishin ekspozuar në hyrje të sallës e brenda saj.
Tituj nga Botimet ALSAR, mes tyre të lidhur tematikisht me ngjarjen e përkujtuar dhe konferencën, iu bënë të njohura pjesëmarrësve me vendosjen në kënde të sallës “Balsha”.
Në hapësirën midis dy seancave pati dhe një koktej për të pranishmit.