Përgjatë një jave, në ditët në mbarim të gushtit, ndjekësit e kurseve të gjuhës turke të organizuara nga Fondacioni ALSAR iu bashkuan kampit veror në Turqi, një aktiviteti të gjerë dhe dinamik me të rinj e të reja nga vende të ndryshme, nga Ballkani e më tej.
Në qëndrimin e tyre në dy qytete, në Edirne dhe Çanakala, 90 kursistët e kurseve të turqishtes në Tiranë, Kukës dhe Konispol, patën mundësinë të njihen me kulturën turke, me ngjarje madhore në historinë e Turqisë, të shohin nga afër objekte të traditës e të ndalojnë në vende ku përkujtohet epopeja çlirimtare e popullit turk.
Drejtues institucionesh hapën dyert për pjesëmarrësit në kampin veror, i mirëpritën dhe iu përgjigjën me tërë gatishmërinë interesit rinor për të ditur sa më tepër për funksionimin institucional.
Qendra rinore e Edirnesë u shndërrua në një vendpritje të dashur, në një hapësirë tërë jetë ku koha rrodhi shpejt. Vizitat në mjediset arsimore qenë me interes për ata që e mendojnë veten e tyre në to në të ardhmen në rrugën e dijes.
Ditët ishin të mbushura me veprimtari të shumëllojshme, me takime, lojëra, etj., në ndërveprim dhe shoqëri me bashkëmoshatarë.
Kampi veror në Turqi do të mbetet gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve, posaçërisht të atyre nga vendi ynë, si një eksperiencë me gjithçka të bukur brenda saj.