Fondacioni ALSAR intensifikon aktivitetin humanitar me ardhjen e Ramazanit. Një prej tre kolonave të veprimtarisë së tij merr tjetër forcë në këtë muaj dhe dendësohet me kalimin e ditëve.
Ndihma mbërrin në shtresa në nevojë, në njerëz në pritje për përkrahje. Fryma e solidaritetit përshkon qytete, fshatra e lokalitete, ngroh zemrat e nevojtarëve dhe ua lehtëson jetesën në këtë kohë të veçantë të vitit.
Në kuadër të bashkërendimit me TİKA-n, Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, dhe të ndihmës ushqimore të mundësuar prej saj, java ka nisur me shpërndarjen e pakove në segmentin e parë.
Në Fushë-Krujë, Thumanë, Lezhë, Shkodër dhe Koplik është bërë dhurimi i pakove me artikuj ushqimorë për banorë në nevojë.
Në këtë segment të parë të shpërndarjes së ndihmës së siguruar nga TİKA, pako me ushqime janë dhënë për 200 familje të fëmijëve jetimë.
Në të tjera vendndalime do të dërgohet kjo ndihmë në ditët e ardhshme, te të tjerë nevojtarë.
Një varg projektesh humanitare presin radhën për t’u realizuar nga ALSAR-i në bashkëpunim me institucione, organizata e shoqata partnere.





