Në përvjetorin e tetë të përpjekjes së dështuar për grusht shteti, Turqia përkujton martirët e saj, bijtë dhe bijat që sakrifikuan jetën për vatanin, për të sotmen dhe të ardhmen e vendit të tyre.
Në Ditën e Demokracisë dhe të Unitetit Kombëtar, një valë aktivitetesh e përkujtojnë ngjarjen me shenjë të pashlyeshme në historinë e Turqisë moderne.
Siç për çdo vit, një ceremoni përkujtimore u zhvillua dhe në kryeqytetin tonë, në parkun e Liqenit Artificial, aty ku gjendet memoriali me emrat e dëshmorëve të 15 korrikut.
Ceremonia e organizuar nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë u ndoq nga funksionarë të institucioneve turke në vendin tonë, nga përfaqësues të shoqërisë civile, të mjeteve të informimit, dhe qytetarë.
Himnet kombëtare të Shqipërisë dhe Turqisë hapën ceremoninë. Ambasadori i Repuıblikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, iu drejtua të pranishmëve, duke e përmbledhur me fjalë të zgjedhura aktin heroik të popullit turk, një epope me qindra dëshmorë dhe mijëra të tjerë të lënduar.
Ai u ndal te lufta ndaj FETO-s, organizatës terroriste, përgjegjëse për gjakderdhjen e tetë viteve më parë, me nënvizimin se fatkeqësisht struktura e saj vazhdon të ekzistojë në mënyrë të rrezikshme në Shqipëri. Ambasadori turk tha, megjithatë, se FETO po humb pushtet dhe jashtë vendit pasi iu thye shtylla kurrizore në Turqi, e se do të pushojë së ekzistuari, ndërsa e përhershme është Republika e Turqisë.
Të pranishmëve u foli në emër të organizatave të shoqërisë civile kryetari i Fondacionit ALSAR. Z. Mehdi Gurra tha për të pranishmit në nisje të fjalës së tij:
“Mbledhja pranë këtij memoriali është kthyer në ritual për ne. Ardhja jonë flet për respekt të palëkundur për 251 martirët e një momenti të kobshëm, e njëkohësisht të lavdishëm, në historinë e shtetit modern turk.
Ngjarjet e 15 korrikut të vitit 2016 nisën si një grusht shteti i radhës, pjesë e një cikli puçesh që e kishin mbajtur Turqinë prej dhjetëvjeçarësh nën tutelë. Por shpirti heroik turk, i mbrujtur me besimin në Zot dhe me dashurinë e pashoqe për atdheun, u dha mësimin më të mirë veglave të së keqes, mendjeve të pushtuara nga tentakulat e oktapodit me filozofi dhe veprim pervers antishtetëror.
Pushtuesit e urave, aeroporteve, televizioneve, institucioneve shtetërore, agresorët me tanke, avionë e helikopterë, nuk e kishin imagjinuar atë reagim të fuqishëm popullor. Kushtrimi i presidentit Erdoğan nëpërmjet një mjeti telefonik çoi në këmbë vullnetin e popullit, asnjëherë më parë të treguar aq energjikisht. Përpjekja për grusht shteti, më e përgjakshmja në Turqi, nuk mundi ta realizojë qëllimin e prishjes së rendit kushtetues dhe të zëvendësimit të organeve të ligjshme shtetërore me një juntë ushtarake.”
Në lidhje me luftën ndaj FETO-s, dhe në kuadër të aktualitetit, z. Gurra u shpreh: “Një luftë tjetër, më e gjatë, ka vazhduar prej asaj dite: ajo e shkuljes me rrënjë të fijeve të organizatorëve të asaj gjakderdhjeje puçiste dhe e shkallmimit të frymës që e mundësoi atë. Shtrirja dhe jashtë kufijve të Turqisë e kësaj lufte ka ndeshur në pengesa dhe nuk ka qenë aq e lehtë. Shteti turk ka dashur t’ua bëjë të qartë të gjitha vendeve mike dhe partnere rrezikshmërinë e FETO-s, që mund të kërkojë ta destabilizojë situatën aty ku lihet e lirë të veprojë.
Në vendin tonë kemi akoma shumë rrugë përpara, për ndërgjegjësimin e njerëzve mbi rrezikun gylenist, mbi funksionimin kapilar dhe të fshehtë të kësaj organizate, dhe për përballjen vendosmërisht me këtë qenie monstruoze.
Për t’i çjerrë maskën si duhet FETO-s kërkohet informacion i drejtpërdrejtë, i pashtrembëruar dhe i pamanipuluar. Njerëzit duhet ta kuptojnë mirë se pas buzëqeshjes së këtyre njerëzve fshihet një shpirt i lig, aspak i interesuar për të mirën e përgjithshme. Kjo e vërtetë duhet thënë hapur dhe fort, për të hequr çdo iluzion naiv. Dhe ai ideal besimor, nëse ekziston sado pak, te gulenistët, është thellësisht i prishur nga ideologjia malinje e strukturës okulte. Ne duhet ta mundim dhe këtu FETO-n! Nuk duhet të kenë të ardhme gylenistët tek ne! As në organet shtetërore, as në institucionet joqeveritare, dhe as në mesin e njerëzve të thjeshtë!
Emrat e dëshmorëve në këtë memorial na kujtojnë se sa e shtrenjtë është liria. Lusim Zotin të mos jemi të detyruar të paguajmë një çmim të ngjashëm!
Në këto momente solemne, duhet të kujtojmë dhe mijëra të vrarët në Gaza, e të lutemi që për të mbijetuarit të mbarojnë vuajtjet e të vijë paqja.
E mbyll fjalën time në këtë ditë të unitetit kombëtar në Turqinë mike me përkujtimin tërë nderim të sakrificës sublime të të rënëve në epopenë e shkruar në mesin e korrikut të 2016-s.
Zoti i ruajttë Turqinë dhe Shqipërinë dhe i begatoftë!”
Lutja për të rënët, këndimi i Kur’anit dhe vënia e luleve në memorialin me emrat e dëshmorëve të popullit turk, plotësuan ceremoninë përkujtimore.
Pjesëmarrësit në ceremoni patën mundësi të shihnin dhe fotografi të ekspozuara me këtë rast, me tematikë ngjarjet e mesit të korrikut të 2016-s në Turqi.