Përurohen tre librat e autorit Burhan Al Din Sejdi Fili me një ceremoni plot emocione

Salla “Consortium”, në hotelin “Tirana International”, priti dhjetëra njerëz këtë të shtunë, të 19 shkurtit, në ceremoninë e përurimit të tre botimeve të Fondacionit ALSAR, përmbledhjeve poetike të autorit Burhan Al Din Sejdi Fili, “Burrnia foli”, “Kërkim në botën e imanit” dhe “Shtegtim me vargje”.

Me pjesëmarrjen e tyre e nderuan ceremoninë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Efendi Tërnava, drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof. dr. Hysen Matoshi, dhe prof. dr. Seit Mansaku.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Fondacionit ALSAR, entit botues, e njëkohësisht organizues i ceremonisë së përurimit, z. Mehdi Gurra, i cili pasi i përshëndeti pjesëmarrësit, në veçanti mysafirët e ardhur nga larg, e përgëzoi autorin për punën krijuese letrare. Ai i bëri një përshkrim të tillë autorit dhe poezisë së tij:

“Burhan Fili është prej një soji njerëzish të ndeshur rrallë e më rrallë, që mirësinë e zemrës ua shpreh shkëlqimi i syve dhe fytyrës. Model i thjeshtësisë, i besimtarit, i veprimtarit të palodhur, ai është prej atyre shembujve njerëzorë për të cilët shoqëria ka nevojë sot më tepër se kurrë.

“I urtë, i menduar, i përkorë në fjalë, Burhan Fili zgjodhi të mos i mbajë ndjenjat mbyllur brenda vetes, por t’i shprehë ato në vargje, për t’u përcjellë lexuesve emocionin, frymëzimin, idealizmin, këshillimin, tregimin e rrugës së drejtë, rrugës së besimit.

Poezia e tij, me vargun e thjeshtë, i flet çdokujt, troket në çdo zemër. Vargjet e tij janë si feksja e dritës në agim, të lehta si ajo dritë e lehtë, por tejet grishëse!

“Burhan Fili i vuri një pritë të përkohshme lumit të tij poetik, mblodhi e zgjodhi prej andej një tufë të madhe poezish dhe vendosi t’ia japë për botim Fondacionit ALSAR.”

Myftiu Naim Efendi Tërnava, prof. dr. Hysen Matoshi dhe prof. dr. Seit Mansaku e analizuan më në brendësi poezinë e Burhan Al Din Sejdi Filit, cituan vargje dhe shprehën konsiderata për tre librat, ndalur më së shumti te “Burrnia foli” për vetë specifikën e saj tematike.

Slide Slide Slide Slide Slide Slide
soap 2 day