Në ambientet e Fondacionit ALSAR u mirëprit për një vizitë rektori i Universitetit “Ondokuz Mayıs” (“Nëntëmbëdhjetë Maji”) të Samsunit, në Turqi.
Mikut nga Turqia ia uroi mirëseardhjen kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.
Prof. dr. Yavuz Ünal, shoqërohej nga një prej zëvendësrektorëve dhe nga përgjegjësi për studentët e huaj në Universitetin “Ondokuz Mayıs”.
I pranishëm në vizitë ishte dhe atasheu për arsimin pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Metin Bulut.
Delegacionin e bashkëshoqëronte një përfaqësi e shoqatës së esnafëve të Prizrenit.
Biseda e ngrohtë me mysafirët u hap nga z. Gurra me një paraqitje të gjerë të veprimtarisë shumëvjeçare të Fondacionit ALSAR, ndalur në mënyrë të posaçme në aktivitetin arsimor dhe në ndihmën e dhënë brezit të ri për shkollim.
Me rektorin, z. Ünal, një përkrahës i hershëm, prej vitesh, i projekteve të ALSAR-it, u diskutuan ide bashkëpunimi, duke u vënë në pah disa fusha. Mes tyre, krijimi i një hapësire për një kontingjent studentësh shqiptarë që të studiojnë në universitet me bursat e vetë këtij institucioni të lartë arsimor në degë të ndryshme të dijes. Po ashtu, dhe krijimi i mundësisë për ndjekjen e programeve arsimore në distancë, nëpërmjet komunikimit online. U diskutua dhe për përkthimin nga turqishtja në shqip të literaturës përgjithësisht historike në lidhje me rajonin, me Ballkanin, me rëndësi të veçantë sidomos në kuadrin e zhvillimeve aktuale.
Pritja dhe biseda me rektorin e Universitetit “Ondokuz Mayıs”, të themeluar në Samsun në vitin 1975 si një institucion i lartë arsimor shtetëror rajonal, dhe me mysafirët e nderuar që e shoqëronin, u përshkua nga fryma miqësore.
Në këtë frymë ishte ftesa e bërë nga rektori, prof. dr. Yavuz Ünal, drejtuesve të Fondacionit ALSAR për të vizituar qytetin e Samsunit dhe Universitetin “Ondokuz Mayıs” në muajin e ardhshëm.