Prof. dr. Seit Mansaku u nderua në 80-vjetorin e lindjes me titullin, “Fisnikëria Tiranase”. Ceremonia e organizuar nga Shoqata Tirana u mbajt në sallën e Akademisë së Shkencave.
Propozimi për dhënien e titullit u soll nga Fondacioni ALSAR, së cilit iu bashkuan dhe ente të tjera, duke marrë në konsideratë aktivitetin shumëvjeçar të profesorit të nderuar.
Në ceremoni mbajti një fjalë përshëndetëse dhe kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, i cili nuk i kurseu lëvdatat për prof. Mansakun.
Gurra vuri në dukje kontributin akademik të prof. dr. Seit Mansakut në fushat ku ai e ushtroi veprimtarinë për dekada gjatë jetës së tij.
Ai theksoi gjithashtu dhe kontributin e prof. Mansakut në mbarëvajtjen e Botimeve ALSAR.
Prof. dr. Seit Mansaku ka qenë prej vitesh një bashkëpunëtor i vyer i Fondacionit ALSAR, anëtar i bordit të botimeve të tij, përkthyes dhe përgatitës i disa botimeve.