Në kuadër të aktiviteteve tona arsimore dhe kulturore u organizua të shtunën, më 4 maj, një program me studentë të ekselencës të universiteteve publike.
Takimi me personalitete, i zhvilluar në ambientet e “Hotel Tirana International”, përmbante dhe dhënien e bursës për këtë kategori studentësh.
Në aktivitetin me praninë e kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, do t’u fliste studentëve një i ftuar nderi nga Gjermania.
Ligjërata e mbajtur nga z. Mehmet Köroğlu ishte një përkujtim i misionit të njeriut në tokë dhe i mënyrës se si duhet çuar kjo jetë.
Përfaqësuesi për Europën i HAYRAT-it, një prej enteve humanitare me të cilat ALSAR-i ka një bashkëpunim të suksesshëm, u foli zemrave dhe mendjeve të studentëve të pranishëm në takim. Ai ligjëroi mbi njohjen e Zotit, mbi ndërgjegjësimin për mirësitë e dhëna njeriut prej Tij, për raportin e krijesave njerëzore me të vërtetën absolute të ekzistencës.
Ndjekur me vëmendje, ligjërimi i personalitetit të ftuar kishte përmbajtjen e duhur për t’i vënë në mendime të rinjtë e për t’i nxitur të përfshihen në përsiatje të thelluara.
Pasi dëgjuan të ftuarin, studentët morën dhe bursën e ekselencës. Ky grup studentësh i përkiste numrit të përgjithshëm prej 80 ekselentësh që e kanë përfituar këtë bursë për vitin akademik në vazhdim.
Fondacioni ALSAR i kushton një rëndësi të veçantë rritjes dhe edukimit të duhur të brezit të ri, të mbështetur e ndihmuar në rrugën e arsimimit dhe të formimit të plotë individual.