PROGRAMI KULTUROR “TAKIM ME PERSONALITETE”

DSC_2300

Është ky programi kulturor, që nisi më datë 24 shkurt 2018 në sallën e konferencave të Fondacionit Alsar me pjesëmarrjen e studentëve të departamentit të arsimit. Një veprimtari kulturore e larmishme që ka terhequr interesin dhe vemendjen e studenteve ajo synoi të orientojë vëmendjen e studentëve drejt sfidave me të cilat përballet sot shoqëria, të nxisë dhe kultivojë mendimin kritik, debatin dhe punën në grup, si mekanizmat më të mirë të aftësimit kulturor e profesional të rritjes së potencialeve intelektuale e aktivizimit shoqëror.
Programi “Takim me personalitete”, është zhvilluar në linjën e tij, sipas një kalendari të programuar nëpërmjet një cikli leksionesh të mbajtura e trajtuara nga pedagogë universitetesh, studiues e personalitete të shquara të fushave të ndryshme.

1. TAKIMI I PARË
Në këtë takim na nderoi me pjesëmarrjen e tij, kryetari i Organizatës së Ndihmave Humanitare “HASENE” me qendër në Gjermani Z. Edin Salkoviç i cili mbajti ligjëratën e tij me temë “Alija Izetbegoviç, një burim i pashtershëm frymëzimi”.
Gjatë fjalës së tij ai hodhi dritë mbi figurën shumëdimensionale të Alija Izetbegoviçit si njëri ndër intelektualët dhe politikanët më të shquar dhe mjaft të suksesshëm në Bosnjë e rajonin e Ballkanit, sidomos në dy dekadat e fundit të shekullit XX (1983-2003).
Ndër të tjera ai theksoi se Alija është i mirënjohur për librin e tij “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” i cilësuar si më i miri i viteve të 80-të. Izetbegoviç, është autor edhe i shumë veprave të tjera, ai karakterizohej me një fuqi të rrallë observuese e perceptuese, zotëron një natyrë krijuese nga e cila rrezaton heshtje dhe qetësi e brendshme, urtësi mirëkuptimi për njeriun dhe botën që e rrethon si edhe guxim intelektual e politik për t’i emërtuar gjërat vetëm me emrin e tyre.
Alija Izetbegovic shumë i respektuar nga bota perëndimore për krenarinë dhe mosfshehjen e identitetit të tij islam dhe nga bota myslimane si ideolog dhe shkrimtar i madh do të mbetet si një personalitet i shquar dhe me ndikim ndoshta personaliteti islam më i shquar i fundit të shekullit të kaluar, apo si e artikuloi këtë ndryshe filozofi Henry Bernard Levy: “Njeriu i cili hyri në histori përkundër vullnetit të vet”, janë këto mesazhet që u përçuan gjatë ligjëratës së tij, e cila u ndoq me vëmendje e interes të veçante nga studentët e pranishëm.

2. TAKIMI I DYTË
Diplomati i karrierës dhe studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, “Mjeshtër i Madh në diplomaci” Z. Shaban Murati ishte i ftuari i radhës në programin kulturor takim me personalitete, gjatë të cilit mbajti ligjëratën e tij me temë “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare” duke trajtuar në mënyrën më të plotë dinamikën e të ashtuquajturës çështje e detit midis Shqipërisë dhe Greqisë, nëpërmjet paraqitjes dhe analizës se dokumenteve të shumta arkivore, të cilat ndihmojnë për të kuptuar gjenezën dhe zhvillimin e çështjes së detit deri në ditët tona.
Gjatë ligjëratës së tij ndër të tjera ai u ndal në trajtimin e problemit interesant dhe enigmatik të ndryshimit nga diplomacia shqiptare të objektit të bisedimeve, nga bisedime për shelfin kontinental në bisedime për përcaktimin e kufirit detar.
Në argumentimin e tij ai hodhi dritë mbi rëndësinë e vendimit historik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i cili përcakton piketat strategjike të paluajtshme si ekzistenca e kufijve detarë, paligjshmëria e çdo lloj bisedimi mbi kufijtë detarë dhe tezave të gabuara të adresimit në gjykata ndërkombëtare.
Për të kuptuar plotësisht dosjen e detit dhe perspektivën e saj, Z. Shaban Murati prezantoi një kuadër të gjerë të problemeve të hapura dhe të pazgjidhura në marrëdhëniet dypalëshe që nga çështja çame e deri te çështja e ujërave të Vjosës.
Në përfundim, Z. Murati iu përgjigj pyetjeve të shumta të drejtuara nga studentët që kishin mbushur sallën e konferencave të Fondacionit “ALSAR”, lidhur me raportin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve si në planin gjeopolitik, ashtu dhe atë diplomatik. Ky takim u ndoq me vëmendje e interes të veçantë nga studentët e pranishëm.

soap 2 day