Fondacioni “ALSAR” boton dhe përuron librin e diplomatit dhe studiuesit të njohur, “Mjeshtër i Madh” Shaban Murati.
Më datë 27 mars 2018 në sallën “Balsha” të Hotel Tirana Internacional Fondacioni Arsimor Kulturor “Alternativa e së Ardhmes” ALSAR përuroi librin e diplomatit dhe studiuesit të njohur Shaban Murati, “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, botuar po prej këtij fondacioni. Në këtë veprimtari morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore e të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, historianë, profesorë, pedagogë, studiues të fushave të ndryshme dhe miq të autorit. Veprimtarinë e hapi presidenti i Fondacionit “ ALSAR”, Z.Mehdi Gurra. Më pas rreth librit folën Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Prof. As. Dr. Sokol Sadushi, ish-ambasador Çlirim Çepani, etj. Veprimtaria përfundoi me përshëndetjen e autorit të librit, zotit Shaban Murati.
Libri i ri, që vjen pas dhjetë librave të këtij autori në fushën e diplomacisë, studimeve ballkanike dhe të politikës së jashtme, trajton për herë të parë në mënyrën më të plotë dinamikën dhe prapaskenat e dosjes së detit midis Shqipërisë dhe Greqisë, nëpërmjet paraqitjes dhe analizës se dokumenteve të shumta arkivore, të cilat ndihmojnë për të kuptuar gjenezën dhe zhvillimin e çështjes së detit deri në ditët tona.
Autori e zbërthen çeshtjen e detit si një çeshtje të krijuar artificialisht nga paaftësia e diplomacisë shqiptare të kohës së nënshkrimit të marrëveshjes së detit dhe nga aftësia e diplomacisë greke për ta bërë çështjen e detit një problem qendror të marrëdhënieve dypalëshe edhe pas anulimit të marrëveshjes së vitit 2009 nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Në libër argumentohet karakteri artificial i kësaj çështje nëpërmjet trajtimit shkencor bindës se kjo çështje nuk ka ekzistuar kurrë në historinë e marrëdhënieve dypalëshe, dhe se ajo është ngritur mbi supozimin e gabuar dhe të paligjshëm se kufijtë detarë nuk ekzistojnë.
Në kapitullin e parë autori ndalet në prapaskenën e nxitimit të diplomacisë shqiptare për përfundimin e marrëveshjes së detit me Greqinë në 2009, e cila kaloi përmes shkeljesh të mëdha historike, diplomatike, juridike dhe dokumentare. Në kapitullin e dytë autori trajton problemin interesant dhe enigmatik të ndryshimit nga diplomacia shqiptare të objektit të bisedimeve, nga bisedime për shelfin kontinental në bisedime për përcaktimin e kufirit detar. Në kapitullin e tretë kemi një analizë të thellë dhe të dokumentuar historike në gjithë harkun kohor shekullor të marrëdhënieve shqiptaro-greke të së vërtetës që kufijtë detarë kanë ekzistuar dhe janë pranuar nga qeveria greke. Në kapitullin e katërt autori analizon për herë të parë tërë procesin diplomatik të çështjes së detit si një konflikt artificial, që ka dominuar marrëdhëniet dhe bisedimet diplomatike midis dy vendeve gjatë dhjetë viteve të fundit.
I bazuar në vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë libri sjell një pasurim të interpretimit dhe të dokumentacionit, që përcakton piketat strategjike të paluajtshme të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ndër këto piketa ai i kushton vëmendje të veçantë ekzistencës së kufijve detarë, paligjshmërisë së çdo lloj bisedimi mbi kufijtë detarë dhe tezave të gabuara të adresimit në gjykata ndërkombëtare.
Për të kuptuar plotësisht dosjen e detit dhe perspektivën e saj, autori përshin një kuadër të gjerë të problemeve të hapura dhe të pazgjidhura në marrëdhëniet dypalëshe që nga çështja çame e deri te çështja e ujërave të Vjosës. Libri i ri i diplomatit Shaban Murati, që botohet në kohën e duhur, sjell një kontribut të çmuar për mendimin diplomatik shqiptar, por edhe për veprimtarinë praktike diplomatike, për studimet akademike dhe për shkencën shqiptare të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Duhet shtuar se autori, duke qenë edhe gazetar, krahas profesionalizmit në argumente, ka përgatituar një libër me një stil të kuptueshëm, të këndshëm dhe komunikues me lexuesit e të gjitha kategorive, që nga akademikët e deri te lexuesit e thjeshtë.
FJALË PËRSHËNDETËSE
Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë!
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore.
Drejtues të organizatave të shoqërisë civile!
Të nderuar pjesëmarrës, miq dhe të ftuar!
Ju përshëndes në emër të Fondacionit ”Alternativa e së Ardhmes” duke ju falënderuar për nderin dhe respektin që treguat me pjesëmarrjen tuaj në këtë veprimtari.
Në kuadër të zhvillimit të veprimtarive kulturore, në bashkëpunim me autorin, organizojmë sot këtë ceremoni me synimin për të mbështetur dhe promovuar vlerat e kontributet, që i shërbejnë çështjes sonë kombëtare dhe mendimit diplomatik shqiptar.
Ndjehemi të privilegjuar që bashkëpunuam me diplomatin e shquar Shaban Murati, që njihet për kontributet e vyera në fushën e diplomacisë e të publicistikës, duke mundësuar në këtë mënyrë botimin e veprës “ÇËSHTJA E PAQENË E DETIT : NJË INTRIGË DIPLOMATIKE GREKE APO SHQIPTARE”
Të nderuar pjesëmarrës!
Çështja e marrëveshjes për detin midis Shqipërisë dhe Greqisë ka qenë objekt i një debati të nxehtë dhe i një interesimi të gjallë të opinionit publik shqiptar që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje më 27.04.2009.
Më vonë kjo marrëveshje u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë,e cila e konsideroi atë në kundërshtim me Kushtetutën dhe e shpalli të pavlefshme juridikisht.
Çështja e detit është vënë përsëri në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe politik shqiptar dhe atij grek, sepse është nisur procesi i negocimit të çëshjes nga të dy palët.
Duke e konsideruar çëshjen e detit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë si një çështje nga më madhoret e interesit Kombëtar,Fondacioni “ ALSAR ” ka mundësuar botimin ( në dy gjuhë shqip anglisht ) dhe promovon sot librin “ Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare” të diplomatit dhe studiuesit Shaban Murati.
Është hera e parë që një ekspert me një karrierë të gjatë diplomatike analizon në një studim të plotë nga pikpamja diplomatike, politike dhe historike çështjen e detit si një problem nga më të mprehtit dhe më të ndërlikuarit të kohëve moderne midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Autori analizon dinamikën diplomatike të dosjes së detit dhe të negocimeve midis dy ministrive të jashtme që nga koha e marrëveshjes së detit të vitit 2009 e deri në ditët e sotme.
Libri mbështetet në një dokumentacion të gjerë dhe referenca nga Arkiva e Shtetit e Shqipërisë,nga Arkiva e MP Jashtme të Italisë dhe në një bibliografi të gjerë të tematikës së çështjes së detit. Autori sjell një numër të madh dokumentesh historike,traktatesh e marrëveshjesh ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me kufijtë e Shqipërisë, për të provuar se kufijtë detarë dhe tokësorë kanë qenë përcaktuar si të detyrueshme për të dy vëndet nga Fuqitë e Mëdha qysh në vitet 1913-1926.
Ai sjell për herë të parë dokumente nga Arkiva e MPJ të Shqipërisë ,që provojnë se në marrëveshjet e mëparshme dypalëshe për çështje të ndryshme midis Shqipërisë dhe Greqisë,të dy vëndet kanë pohuar ekzistencën dhe njohjen e kufirit detar midis tyre.
Fondacioni “ALSAR” është i nderuar për prezencën në këtë veprimtari të studiuesve dhe ekspertëve të shquar të fushës së diplomacisë, jurisprudencës dhe historisë ,që pranuan të japin opinionet e tyre të çmuara në lidhje me përmbajtjen dhe vlerat,që përmban libri dhe rëndësinë që argumentet e sjella në të, do të kenë për ndriçimin e opinionit publik dhe politik shqiptar dhe atij të huaj.
Shumë të nderuar pjesëmarrës!
Gjejmë rastin të shprehim vlerësimin dhe mirënjohjen tonë ndaj kontributit të çmuar që ofroi autori i librit “Çështja e paqenë e detit : Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, i cili me punimin e tij, vendosi një tjetër gur të çmuar në kurorën e botimeve të tij në fushën e diplomacisë.
Urime dhe suksese të mëtejshme autorit të këtij libri !
Më lejoni që duke i uruar një mbarëvajtje të suksesshme kësaj veprimtarie, ta deklaroj atë të hapur.
Ju faleminderit !