PROMOVOHET NË PRISHTINË “KALENDARI KOMBIAR”.

Pas prezantimit në Tiranë, rivjen për studiuesit dhe lexuesit në Prishtinë “Kalendari Kombiar”, kontributi më madhor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Tubimi përurues i kësaj vepre të realizuar ndër vite nga një grup intelektualësh të shquar të kësaj periudhe si Kristo Luarasi, Kosta Jani Trebicka, Shahin Kolonja, Mit’hat Frashëri, si redaktor kryesor dhe të tjerë, u zhvillua me datë 29 mars 2018 në formën e një konference të mirëfilltë shkencore, me kumtesa dhe trajtesa nga studiues të fushave të ndryshme, kryesisht historike si dhe filologjike si dhe nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, me drejtues Prof. Dr. Hysen Matoshin si dhe nga institucioni botues, Fondacioni “Alternativa e së Ardhmes” (ALSAR), me kryetar z. Mehdi Gurra si organizator dhe moderator tubimin e çeli Prof. Dr. Hysen Matoshi.

Kumtesën e parë e mbajti Akademiku Rexhep Qosja, i cili u ndal në rëndësinë e madhe që kishte revista Kalendari Kombiar për ndriçimin e ndërgjegjes kombëtare në një nga periudhat më të vështirat dhe më të lavdishme për popullin shqiptar, siç ishte Rilindja Kombëtare Shqiptare.
“Duke e botuar “Kalendarin Kombiar” në katër vëllime, ju keni botuar dhe po përuroni një vepër të madhe që i ka rritur, i ka shtuar, i ka pasuruar: vetëdijen kombëtare, dijet, artet, letërsinë, kulturën, qytetërimin shqiptar dhe lidhjet e tij para së gjithash kulturore me shumë popuj të tjerë, tha më tej Akademiku Rexhep Qosja. Dhe, kështu, ju keni botuar e po përuroni një vepër të madhe, që kujtesës sonë të pakujdesshme sidomos gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, po ia rikthen emrin shumë të merituar të botuesit të saj të parë, Kristo Luarasit, botuesit të saj të dytë, Mithat Frashërit, dhe të një vargu veprimtarësh të tjerë politikë, shoqërorë, letrarë, kombëtarë, që gjithë jetën e tyre, shpesh duke harruar veten, ia kushtuan Kombit të vet dhe Shtetit të tij, natyrisht në kufijtë etnikë”, kështu e mbylli fjalën Profesori i nderuar.
Më tej rreth veprës kumtuan Prof. Dr. Seit Mansaku, i cili u ndal në kujdesin që kanë patur botuesit e “Kalendarit Kombiar” jo vetëm në anën përmbajtësore, por edhe në atë gjuhësore, duke u bërë shembull në përpjekjet për përhapjen e gjuhës shqipe, që ishte një nga drejtimet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare.

Prof. Dr. Shefkije Islamaj, u përqendrua në kumtesën e saj në spektrin e gjerë të njoftimeve të “Kalendarit Kombiar” për zgjimin kulturor dhe shkencor të shqiptarëve nëpërmjet gjuhës shqipe. Ndërsa Prof. Dr. Genci Luarasi, në përmbajtjen e lëndës dhe kronologjinë e ngjarjeve, që përshkruan “Kalendari Kombiar” që nga viti i parë i botimit më 1897 deri në vitin 1928.

Në fund Kryetari i Fondacionit “ALSAR”, Z. Mehdi Gurra, mbajti një kumtesë të veçantë për rëndësinë e veprës dhe për motivet që shtynë bordin e Fondacionit që ai drejton, në përzgjedhjen dhe risjelljen pikërisht të kësaj vepre në duart e studiuesve dhe lexuesve shqiptarë si një dhuratë në kuadër të 105-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.

“Ribotimi i “Kalendarit Kombiar” është një lajm i gëzueshëm për historinë dhe kulturën shqiptare, tha më tej zoti Mehdi Gurra, sepse risjell edhe një herë atmosferën e viteve të lavdishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, përpjekjet e patriotëve shqiptarë, që luftën për liri dhe pavarësi e shihnin, krahas të tjerash, te ndriçimi i mendjes së shqiptarëve, që çdo dije dhe zbulim botëror të ishte i artikuluar në gjuhën shqipe, të kishte veshje dhe identitet kombëtar”, përfundoi z. Gurra.

soap 2 day