Në Tetovë të Maqedonisë së Veriut u promovua të mërkurën, më 24 qershor, botimi me dy vëllime, “Tragjedia Çame, 1913-1945”.
Botimi i ALSAR-it iu paraqit të pranishmëve në aktivitetin në kuadër të muajit çam, të organizuar nga Shoqata Kulturore “Vizioni M”.
Konceptuar dhe si një debat për Çamërinë në 82-vjetorin e gjenocidit ndaj popullsisë çame, në aktivitetin promovues morën pjesë përgatitësit e dy vëllimeve, dr. Qerim Lita dhe Shkëlzen Halimi, kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, dhe drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, z. Alket Veliu.
Në fjalën e tij, z. Mehdi Gurra foli mbi dy vëllimet për Çamërinë të dhëna publikut nga Botimet ALSAR dhe për dokumentet e përfshira në botim, për mënyrën dhe rëndësinë e gjetjes së tyre.
Drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, z. Alket Veliu, e cilësoi botimin si dëshmi të së vërtetës historike.
Përgatitësit e botimit, dr. Qerim Lita dhe Shkëlzen Halimi, u treguan gjithashtu të pranishmëve për gjetjen dhe hulumtimin e dokumenteve në arkiva.
Përcjella te publiku e së vërtetës së fatit të shqiptarëve të Çamërisë dhe ruajtja e kujtesës historike u vunë në pah në aktivitetin e ndjekur me interes.
Dy vëllimet përmbajnë materiale arkivore, dokumente me përmbledhjen e tyre në tre gjuhë, në shqip, turqisht e anglisht. Botimi është mjaft i vlefshëm për studiuesit e çështjes çame, ndërsa përmban një lëndë të gjerë arkivore, qindra dokumente, si dhe dhjetëra fotografi.








