Realizohet në qarkun e Elbasanit projekti i dhurimit të çantave shkollore për 250 nxënës

Fondacioni ALSAR ka realizuar me sukses të martën e 20 tetorit projektin e dhurimit të çantave shkollore dhe të mjeteve didaktike në qarkun e Elbasanit.

Projekti i zhvilluar në kuadër të aktivitetit arsimor dhe humanitar ka synuar t’u vijë në ndihmë nxënësve e t’ua lehtësojë angazhimin shkollor.

Veprimtaria dhuruese është mundësuar nga IHH me qendër në Holandë, e pranishme dhe me përfaqësuesit e saj në shpërndarjen e çantave.

Ndihmën me çanta shkollore dhe mjete didaktike e kanë përfituar 250 nxënës, sipas një grafiku të përcaktuar më herët dhe që ka marrë në konsideratë nevojat.

Përfitues ishin fëmijë autikë, fëmijë të qendrës “Future for You” në Elbasan, të Qendrës Komunitare Multifunksionale në Shushicë, të qendrës ditore “Lulet e Diellit” në Gramsh, të QSHNJNV-së në Elbasan, të qendrës komunitare për romët, të Qendrës Komunitare Multifunksionale në Cërrik, të shkollës speciale “Zëra Jete” në Elbasan, të familjeve në nevojë e me status jetimi.

Përfaqësues dhe punonjës të Fondacionit ALSAR dhe të entit kontribues, IHHNL-së, kanë komunikuar me fëmijët dhe me personelin arsimor, kanë parë nga afër ambientet dhe kanë shpërndarë çantat e mjetet didaktike.

Veç ndihmës së prekshme, dhuratat kanë sjellë dhe gëzim te përfituesit.

I përkushtuar në kujdesin ndaj fëmijëve, dhe ndaj brezit të ri në përgjithësi, Fondacioni ALSAR realizon në mënyrë periodike projekte të tilla ku ndërthuren aspektet humanitare dhe arsimore të aktivitetit të tij.