Fondacionin ALSAR e vizitoi, më 1 prill, rektori i Universitetit “18 Marsi” të Çanakalasë.
Prof. dr. Sedat Murat u prit nga kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, me të cilin pati një bisedë të këndshme dhe dobiprurëse.
Bisedën e mbizotëroi njohja e ndërsjelltë me arritjet e dy institucioneve, si dhe një shkëmbim idesh për forcim marrëdhëniesh dhe bashkëpunim.
Mehdi Gurra i bëri mysafirit të nderuar nga Turqia një panoramë të aktivitetit të Fondacionit ALSAR, ndalur më në veçanti në veprimtaritë arsimore, të ndihmës së dhënë nxënësve dhe studentëve në vite, të mbështetjes me bursa, etj.
Marrëdhëniet vëllazërore shqiptaro-turke patën hapësirën e tyre po ashtu në bisedë, vënë në pah me kënaqësi.
Rektori i Universitetit “18 Marsi” të Çanakalasë i shprehu mikpritësit mirënjohjen për të gjithë angazhimin e tij të vazhdueshëm për forcimin e këtyre marrëdhënieve. Fjalët më të mira, tha ai, dhe për aktivitetin e Fondacionit ALSAR në tërësi.
Vizita u mbyll me falënderimet e rektorit, prof. dr. Sedat Murat, për mikpritjen.