REKTORI I UNIVERSITETIT TË TRAKIAS PRITET NGA Z. MEHDI GURRA

Në Fondacionin “ALSAR” është pritur rektori i Universitetit të Trakias, prof. dr. Erhan Tabakoğlu. Ishte hera e parë që z. Tabakoğlu bënte një vizitë në zyrat e “ALSAR”-it.
Prof. dr. Erhan Tabakoğlu u prit nga kryetari i Fondacionit “ALSAR”, z. Mehdi Gurra. Dy personalitetet janë takuar dhe më parë, dhe ky ishte takimi i tretë midis tyre.
Siç ngjet zakonisht në pritje të tilla, rektori i Universitetit të Trakias u njoh më së pari me veprimtarinë e Fondacionit “ALSAR”, treguar nga z. Gurra.
Në bisedë janë diskutuar një varg çështjesh, duke nisur me atë të studentëve shqiptarë që studiojnë në Turqi e që mbështeten nga Universiteti i Trakias, ky institucion i arsimit të lartë i cili gjendet në Edirne. Të mbështetur veç me bursë studimi, këta studentë përballen me probleme si ai i konviktit, që nuk përfshihet në bursën e dhënë. Kësisoj, një bursë e plotë do të ishte zgjidhja më e mirë për ta. Rektori bëri të ditur se vijonte puna për ndërtimin e një konvikti për 4.500 studentë, që besohet se do të jetë gati vitin e ardhshëm, e se me këtë shpresohej të zgjidhej dhe çështja në fjalë.
U shtrua mes të tjerash çështja e organizimit të konferencave të përbashkëta me Institutin e Kërkimeve Ballkanike, pjesë e Universitetit të Trakias. Një sugjerim i pritur me mjaft interes nga prof. dr. Erhan Tabakoğlu, siç u pritën dhe sugjerimet e tjera.
Nga kryetari i Fondacionit “ALSAR” u shtrua si kërkesë që studentëve të Ballkanit, posaçërisht atyre nga Shqipëria, që studiojnë për magjistraturë dhe doktoraturë në universitetin në Tekirdağ, t’u jepen tema studimore në lidhje me vendet e tyre, e të punohet që këto tema të përkthehen në shqip dhe në gjuhë të tjera ballkanike.
Universitetet turke, theksoi z. Gurra, duhet të angazhohen me personelin e tyre kërkimor për të bërë studime shkencore mbi vendet ballkanike që më pas të shërbejnë si udhëzuese për politikën e shtetit turk.
Si një shqetësim, drejtuesi i fondacionit shtroi përpara rektorit të Universitetit të Trakias çështjen e largimit të trurit shqiptar nga vendi. Një ndihmë do të ishte, sipas tij, në këtë aspekt që studentëve shqiptarëve t’u mundësohej nëpërmjet kontakteve, kompanive të ndryshme turke në Shqipëri, apo mënyrave të tjera, që të punësoheshin më së paku për pesë vite pas mbarimit të studimeve në vendin e tyre.
Shtimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes Fondacionit “ALSAR” dhe Universitetit të Trakias u mor në konsideratë. Në këtë kuadër, drejtuesit e fondacionit kanë planifikuar një vizitë së shpejti në këtë institucion arsimor në Turqi.
Në fund të takimit, z. Mehdi Gurra e falënderoi mikun, prof. dr. Erhan Tabakoğlu, për vizitën.

soap 2 day