Në shprehje të solidarësisë me vuajtjet e popullit turk pas tërmeteve shkatërrimtare të 6 shkurtit, Fondacioni ALSAR dhe Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë po bashkëpunojnë prej ditësh për mbledhje dhe dërgim të ndihmave.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, në ambientet e Fondacionit ALSAR është bërë dorëzimi i një shume të konsiderueshme ndihme monetare të mbledhur nga LHSH-ja.
Kreu i këtij institucioni, z. Sokol Kondakçiu, e dorëzoi shumën monetare prej 10.000 eurosh të mbledhur si ndihmë, në zyrën e kryetarit të ALSAR-it, z. Mehdi Gurra.
Shuma në euro do të kalojë përmes ALSAR-it në destinacionin e duhur, në ndihmë të vëllezërve në Turqi.
Një përfaqësi e LHSH-së do të shkojë gjithashtu aty ku ka ndodhur fatkeqësia, për ta treguar nga afër solidaritetin dhe për të dhënë së bashku me ALSAR-in ndihmën në kapërcimin e fatkeqësisë që e ka goditur Turqinë mike.