Fondacioni ALSAR dhe bashkëpunëtorët e tij ndërkombëtarë vazhdojnë të zhvillojnë aktivitete humanitare në ndihmë të shtresave në nevojë në vendin tonë.
Mijëra njerëz janë ndihmuar; jetimë, nevojtarë dhe komunitete e kanë parë të konkretizuar frymën e solidaritetit human, të pranishme më shumë se kurdoherë në këtë muaj të madhërueshëm.
Pjesë qenësore e aktiviteteve të ALSAR-it në këtë periudhë tridhjetëditore vijon të jetë shtrimi i iftareve apo shpërndarja e ushqimit të parapërgatitur e të paketuar për iftar.
Për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë, komunitetit të romëve më specifikisht, është shpërndarë së fundi një sasi mjaft e konsiderueshme me paketim ushqimor për iftar.
Përgjithësisht në Tiranë u janë ndarë nevojtarëve 800 racione me ushqim të parapërgatitur, për t’u konsumuar në iftar në mjedise familjare.
Ky aktivitet është mbështetur nga organizata e ndihmave IHH me qendër në Holandë, e pranishme në dhënien e kontributit humanitar dhe me përfaqësuesit e saj.