Tag Archives: Arsimore

Shpërndahen certifikatat për ndjekësit e kurseve të gjuhës turke në Kukës

Mbërritja e verës dhe mbarimi i një viti shkollor sjell dhe përfundimin e një cikli tjetër të kurseve të gjuhës turke të organizuara nga Fondacioni ALSAR.

Dhënia e certifikatave përkatëse për ndjekësit e këtyre kurseve, filluar nga kryeqyteti, është njohje e përpjekjes disamujore të nxënësve të angazhuar në mësimin e gjuhës turke.

Fundjavën e kaluar, në ditën e fundit të majit, radha e zhvillimit të ceremonisë së përmbylljes vjetore të projektit të kurseve të gjuhës turke ishte në Kukës.

Numri i nxënësve pjesëmarrës në kurset në qytetin verior ka qenë te 40, në grupmosha dhe nivele të ndryshme, nga më i ulëti te më i avancuari.

Kursantët e pranishëm në ceremoni kanë marrë certifikatat me emrat e tyre.

Përmes projektit tashmë njëdekadësh është synuar formimi sa më i mirë i të rinjve dhe të rejave, zgjerimi i njohurive, posaçërisht për ata që kërkojnë t’i vijojnë studimet në institucionet arsimore në Turqi, të mesme apo të larta.

Vlen për t’u theksuar bashkëpunimi me Bashkinë e Kukësit dhe shfrytëzimi i qendrës kulturore të qytetit për zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe arsimore, kontribuese në pasurimin e jetës socio-kulturore.

Fondacioni ALSAR e çon përpara vit pas viti projektin e kurseve të gjuhës turke në kuadër të aktivitetit të tij arsimor.

Në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës u zhvillua ceremonia e dhënies së këstit të dytë të bursave të ekselencës për këtë vit akademik

Fondacioni ALSAR e ka vijuar mbështetjen në fushën e arsimit për të rinjtë dhe të rejat e universiteteve publike me dhënien e këstit të dytë të bursave të ekselencës për studentët e Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë.

Në ambientet e këtij institucioni të arsimit të lartë është zhvilluar këtë të mërkurë, më 28 maj, një ceremoni me pjesëmarrjen e rektorit, prof. dr. Lorenc Ekonomi, dhe të drejtorit administrativ të Fondacionit ALSAR, z. Saimir Rusheku.

Rektori i Universitetit “Fan S. Noli” ka vlerësuar në një fjalë përshëndetëse kontributin arsimor të Fondacionit ALSAR, duke renditur mbështetjen për studentët me bursa ekselence, dhurimin e librave nga Botimet ALSAR, dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta.

Prof. dr. Lorenc Ekonomi çmoi bashkëpunimin e frytshëm, me theksin në forcimin e tij, duke shprehur, mes të tjerash, dhe kërkesën për rritjen e kuotave të studentëve të mbështetur me bursa ekselence.

Pjesëmarrësve në ceremoni u foli dhe drejtori administrativ i Fondacionit ALSAR, z. Saimir Rusheku. Bashkëveprimi i suksesshëm në vite i dy institucioneve, korrektësia e marrëdhënieve të ndërsjella, dhe urimi për t’i çuar ato më tej, u veçuan në fjalën e tij.

Ai ofroi një pasqyrë të aktivitetit të ALSAR-it, posaçërisht në lëmin arsimor; u bëri të ditur dëgjuesve kontributet e prekshme, me bursa dhe në përmirësimin e infrastrukturës mësimore, që synojnë t’i vijnë në ndihmë brezit të ri në procesin e fitimit të dijeve dhe të përgatitjes për sfidat e jetës, vetjake dhe shoqërore.

Mbështetja e vazhdueshme e institucioneve turke në këtë aspekt u vu në pah gjithashtu në fjalën e z. Rusheku.

Ceremonia vijoi me dhënien e zarfeve me çeqet përkatëse të këstit të dytë të bursave të ekselencës për 25 studentët përfitues.

WEFA, organizata e ndihmave me qendër në Gjermani, kontribuoi si mbështetëse e veprimtarisë me dhënien e ndihmës financiare të zekatit të dedikuar në kuadër të bursave.

Jepet kësti i dytë i bursave të ekselencës për vitin akademik në vijim për studentë të universiteteve publike

Në Fondacionin ALSAR janë pritur dhjetëra të rinj e të reja për të marrë këstin e dytë të bursave të ekselencës.

Për studentët përfitues janë dhënë zarfet me çeqet përkatëse, shpërndarë nga drejtori administrativ i Fondacionit ALSAR, z. Saimir Rusheku.

Kësti i dytë për vitin akademik 2024-2025 është shpërndarë këtë të premte, më 23 maj, për 30 studentë.

Aktiviteti u zhvillua në vijimësi të projektit për mbështetjen me bursa të studentëve të shkëlqyer të universiteteve publike.

Dhënia e bursave të ekselencës është një prej veprimtarive në fushën arsimore me të cilat Fondacioni ALSAR ia lehtëson brezit të ri ecjen në rrugën e dijes.

Botimet ALSAR në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, dhurohen tituj për bibliotekën

Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit midis Fondacionit ALSAR dhe Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë është shoqëruar menjëherë me një akt dhurimi.

Duke iu përmbajtur pikës së parë të angazhimit nga Fondacioni ALSAR në marrëveshje, është dhuruar për bibliotekën e universitetit një sasi e konsiderueshme titujsh nga Botimet ALSAR.

Prof. dr. Aurela Saliaj, rektore e universitetit, dhe z. Mehdi Gurra, kryetar i Fondacionit ALSAR, ishin të pranishëm në aktivitetin që pasuron bibliotekën e institucionit publik të arsimit të lartë në qytetin e Vlorës.

Për bibliotekën u dhuruan 125 tituj, libra me tematikë të larmishme. Botimet cilësore të ALSAR-it do t’u shërbejnë studentëve dhe pedagogëve të universitetit.

Nisja e bashkëpunimit dypalësh me këtë kontribut kulturor të ALSAR-it është një ogur i mbarë për vazhdimësinë dhe jetëgjatësinë e tij.

Fondacioni ALSAR dhe Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Në kuadër të zgjerimit të aktivitetit dhe të shtimit të partneriteteve e ndërveprimeve me institucione të ndryshme, Fondacioni ALSAR ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë.

Nënshkrimit të marrëveshjes i ka paraprirë një vizitë dhe një takim në mjediset e universitetit, me praninë e prof. dr. Aurela Saliaj, rektore e këtij institucioni publik arsimor, dhe z. Mehdi Gurra, kryetar i Fondacionit ALSAR.

Prof. dr. Sabri Laçi, koordinator për hapjen e një bashkëpunimi mes dy palëve dhe marrëveshjen, i ka kushtuar fjalë të veçanta aktivitetit dhe kontributit arsimor e kulturor të Fondacionit ALSAR.

Krerët e dy institucioneve kanë bërë paraqitjet përkatëse të veprimtarive dhe kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit.

Marrëveshja e nënshkruar sot, më 14 maj, parashikon bashkëpunim akademik dhe kulturor, mbështetjen e studentëve, pasurimin e bibliotekës së universitetit, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, etj.

Qëllim i marrëveshjes është përkushtimi në shërbim të studentëve, duke synuar ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare.

Fondacioni ALSAR angazhohet ndër të tjera të japë ndihmë dhe mbështetje për realizimin e projekteve të përbashkëta të botimit të literaturës akademike, të akordojë stimuj financiarë për studentë me kontribute akademike dhe shkencore, të japë ndihmë në bazë materiale për të përmirësuar infrastrukturën universitare, të ofrojë mbështetje financiare për studentë në vështirësi ekonomike, specifikisht për ata jetimë, e të ndërmjetësojë në

krijimin nga universiteti të urave të bashkëpunimit me institucione homologe brenda dhe jashtë vendit.

Atmosfera mikpritëse dhe mjaft miqësore e shoqëroi vizitën e drejtuesve të Fondacionit ALSAR në Universitetin “Ismail Qemali” dhe nënshkrimin e marrëveshjes.

Dhurohet për fëmijët e kurseve të mësim-besimit të xhamisë Babrru kompleti i librave nga Botimet ALSAR, “Rrëfenja kur’anore

Në kuadër të aktiviteteve në muajin e Ramazanit, mjediset e Fondacionit ALSAR i kanë vizituar dy prej nënkryetarëve të Sindikatës së Shëndetësisë në Turqi, ÖZ SAĞLIK-İŞ.

Z. Süleyman Doğan dhe z. Mustafa Özüpek janë pritur nga kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.

Mysafirët kanë marrë pjesë dhe në një veprimtari dhuruese, të kushtuar fëmijëve të kurseve të mësim-edukimit të Fondacionit ALSAR.

Në një prej xhamive të Tiranës, në xhaminë Babrru, është bërë dhurimi i 100 kompleteve me dhjetë libra nën titullin, “Rrëfenja kur’anore”.

Historitë me ilustrime për pejgamberë, njerëz dhe ngjarje përmbajnë tekste të përthithshme lehtësisht, shkruar enkas për fëmijët.

Fondacionin ALSAR dhe entin sindikal turk ÖZ SAĞLIK-İŞ i lidh një partneritet i qëndrueshëm. Kontributi i tij për aktivitetet e ALSAR-it është i herëpashershëm dhe i vlerësuar.

soap 2 day