Category Page: Arsimore

    Realizohet në qarkun e Elbasanit projekti i dhurimit të çantave shkollore për 250 nxënës

    Fondacioni ALSAR ka realizuar me sukses të martën e 20 tetorit projektin e dhurimit të çantave shkollore dhe të mjeteve didaktike në qarkun e Elbasanit.

    Projekti i zhvilluar në kuadër të aktivitetit arsimor dhe humanitar ka synuar t’u vijë në ndihmë nxënësve e t’ua lehtësojë angazhimin shkollor.

    Veprimtaria dhuruese është mundësuar nga IHH me qendër në Holandë, e pranishme dhe me përfaqësuesit e saj në shpërndarjen e çantave.

    Ndihmën me çanta shkollore dhe mjete didaktike e kanë përfituar 250 nxënës, sipas një grafiku të përcaktuar më herët dhe që ka marrë në konsideratë nevojat.

    Përfitues ishin fëmijë autikë, fëmijë të qendrës “Future for You” në Elbasan, të Qendrës Komunitare Multifunksionale në Shushicë, të qendrës ditore “Lulet e Diellit” në Gramsh, të QSHNJNV-së në Elbasan, të qendrës komunitare për romët, të Qendrës Komunitare Multifunksionale në Cërrik, të shkollës speciale “Zëra Jete” në Elbasan, të familjeve në nevojë e me status jetimi.

    Përfaqësues dhe punonjës të Fondacionit ALSAR dhe të entit kontribues, IHHNL-së, kanë komunikuar me fëmijët dhe me personelin arsimor, kanë parë nga afër ambientet dhe kanë shpërndarë çantat e mjetet didaktike.

    Veç ndihmës së prekshme, dhuratat kanë sjellë dhe gëzim te përfituesit.

    I përkushtuar në kujdesin ndaj fëmijëve, dhe ndaj brezit të ri në përgjithësi, Fondacioni ALSAR realizon në mënyrë periodike projekte të tilla ku ndërthuren aspektet humanitare dhe arsimore të aktivitetit të tij.

    Dhurohen stola për shkollën 9-vjeçare “Sherif Dervishi” në Budull të Krujës

    Fondacioni ALSAR ka realizuar të mërkurën e 23 shtatorit projektin e dhurimit të stolave për shkollën 9-vjeçare “Sherif Dervishi” në Budull të Krujës.

    Projekti i hartuar dhe i realizuar në kuadër të aktivitetit arsimor të Fondacionit ALSAR synonte përmirësimin e infrastrukturës në këtë shkollë.

    Stolat u dhuruan në përgjigje të kërkesës së bërë nga shkolla dhe i shërbejnë rregullimit të mjedisit dhe funksionalitetit të tij për nxënësit dhe mësuesit.

    Në dhurimin e 12 stolave nga punonjës të Fondacionit ALSAR ishin të pranishëm drejtoresha e shkollës, mësues dhe nxënës.

    Shkolla 9-vjeçare “Sherif Dervishi”, e rindërtuar pas tërmetit të nëntorit të 2019-s, merr një pamje më të bukur me stolat e dhuruar, ku mund të kalohen momente pushimi.

    Fjalët që e shoqëruan projektin, “Për fëmijët, për të ardhmen”, reflektonin përkushtimin e pandryshuar të fondacionit për të kontribuar në shkollimin e brezit të ri, në rritjen dhe edukimin e duhur të tij.

    Me nisjen e vitit të ri shkollor kanë rifilluar veprimtarinë dhe kurset pranë Fondacionit ALSAR

    Shtatori sjell si gjithmonë hapjen e dyerve të shkollave dhe uljen e nxënësve në banka për të marrë dije e për t’u përgatitur për jetën.

    E bashkëshoqëron këtë në Fondacionin ALSAR rinisja e kurseve, si traditë e konsoliduar ndër vite.

    Djem e vajza të gatshëm për të marrë dije shtesë, për të mësuar gjuhë të huaja dhe për të ndjekur mësimdhënie të karakterit edukativ, mirëpriten në ambientet e fondacionit për ta shfrytëzuar këtë mundësi të dhënë bujarisht.

    Kurset e gjuhës angleze dhe turke, e veç tyre dhe të edukimit etiko-moral, të ofruara pa pagesë, mund të ndiqen gjatë tërë vitit shkollor në orare që nuk u sjellin pengesë nxënësve për të vajtur në shkollë.

    Mjediset e përshtatshme, mësimdhënia me nivelin e dëshiruar dhe mjetet didaktike bashkëkohore e bëjnë të lehtë dhe tërheqëse pjesëmarrjen në kurse të të interesuarve.

    Kurseve u shtohen në vazhdim studentë e studente, me fillimin e vitit të ri akademik.

    Regjistrimi në kurset e Fondacionit ALSAR është i mundur për çdo të ri e të re që synon ta bëjë sa më të plotë marrjen e dijes.

    Kurset zhvillohen në kuadër të aktivitetit arsimor të Fondacionit ALSAR, çmuar si ndihmëse dhe mjaft të dobishme për brezin e ri.

    Përmbyllen me sukses kurset verore në qytete të ndryshme të vendit për edukimin etik, moral dhe fetar të fëmijëve

    Fondacioni ALSAR organizoi dhe përmbylli me sukses kurset verore, në kuadër të aktivitetit arsimor dhe të kujdesit të pandërprerë për mirërritjen e brezit të ri.

    Si për çdo vit gjatë muajve të verës, u hapën dhjetëra kurse në të katër anët e Shqipërisë dhe iu mundësua fëmijëve të marrin mësime të vlefshme dhe të kalojnë një pjesë të kohës së pushimit në aktivitet të dobishëm.

    Mësuesit u kujdesën t’ua bëjnë sa më tërheqës lëndën mësimore ndjekësve të kurseve, duke ndërthurur edukimin etik, moral dhe fetar.

    Djemtë dhe vajzat e kurseve verore u pritën ngrohtësisht në mjediset përkatëse, morën mësime dhe u zbavitën njëherësh në grup.

    Në 60 kurset verore të hapura në dymbëdhjetë qytete, nga veriu në jug, i ndoqën mësimet 2500 fëmijë. Tirana, Durrësi, Kavaja, Fieri, Elbasani, Berati, Kopliku, Kurbini, Këlcyra, Pogradeci, Korça dhe Devolli do të përzgjidheshin për organizimin dhe zhvillimin e kurseve.

    Projekti i zhvillimit të kurseve verore u mbështet nga ente partnere të ALSAR-it dhe nga donatorë të tjerë. IHH me qendër në Holandë, HASENE, me qendër në Gjermani, Bashkia e Bahçelievlerit në Stamboll, veçohen si mbështetësit kryesorë. Mirënjohja, ndërkaq, u shprehet të gjithë kontribuesve.

    Përfundimi i kurseve verore dhe i muajve të pushimit do t’ua lënë vendin tani projekteve të tjera arsimore në Fondacionin ALSAR, synuese gjithnjë për t’i shërbyer sa më mirë edukimit të duhur të fëmijëve dhe të rinjve.

    Vizitë e kryetarit të Fondacionit ALSAR në shkollën “Bido Sejko” në Konispol

    Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, zhvilloi në fillimin e kësaj jave, në ditët e fundit të prillit, një vizitë në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Bido Sejko” në Konispol.

    Atë e shoqëronte në këtë vizitë atasheu i arsimit pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Gökmen Aksakal.

    Ata u pritën nga drejtoresha e këtij institucioni shkollor, znj. Bukuri Braho, e cila u uroi mirëseardhjen dhe i shoqëroi gjatë vizitës.

    Në bisedën me të në lidhje me mbarëvajtjen e procesit mësimor, mikpritësja paraqiti disa kërkesa në lidhje me nevojat e shkollës.

    U fol gjatë vizitës për kursin e gjuhës turke, i hapur prej dhjetë vitesh në këtë shkollë nga Fondacioni ALSAR, që në 2016-n, dhe ecurinë e tij.

    Një vizitë në klasën e turqishtes i njohu vizitorët me nxënësit dhe ambientin e zhvillimit të mësimit.

    Vizita përcolli rëndësinë që Fondacioni ALSAR i jep arsimimit të brezit të ri dhe vëmendjen e vazhdueshme për shkollën “Bido Sejko”, për të cilën ka kontribuar në vite për plotësimin e bazës materiale, të mjeteve didaktike.

    Dhurohen orendi dhe kompjutera për shkollën 9-vjeçare të fshatit Shesh në Tiranë

    Në kornizat e aktivitetit arsimor, përmirësimi i mjediseve të brendshme shkollore, pajisja me mjetet e duhura didaktike, e nxit Fondacionin ALSAR të realizojë periodikisht projekte në këtë drejtim.

    Një i tillë u finalizua në këto ditë të ngrohta prilli në fshatin Shesh, në periferitë e Tiranës.

    Për shkollën 9-vjeçare të këtij fshati u dhuruan pesë kompjutera, që do të ndihmojnë sigurisht në rritjen e cilësisë së mësimdhënies.

    Njëkohësisht u dhuruan dhe dia orendi të nevojshme, një tavolinë, pesë rafte dhe tre karrige zyrash.

    Ndihma materiale e dhuruar u prit me mirënjohje dhe falënderim, si një kontribut i dobishëm në mbarëvajtjen e procesit mësimor në këtë shkollë fshati.