Tag Archives: Arsimore

Dhurohet për fëmijët e kurseve të mësim-besimit të xhamisë Babrru kompleti i librave nga Botimet ALSAR, “Rrëfenja kur’anore

Në kuadër të aktiviteteve në muajin e Ramazanit, mjediset e Fondacionit ALSAR i kanë vizituar dy prej nënkryetarëve të Sindikatës së Shëndetësisë në Turqi, ÖZ SAĞLIK-İŞ.

Z. Süleyman Doğan dhe z. Mustafa Özüpek janë pritur nga kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.

Mysafirët kanë marrë pjesë dhe në një veprimtari dhuruese, të kushtuar fëmijëve të kurseve të mësim-edukimit të Fondacionit ALSAR.

Në një prej xhamive të Tiranës, në xhaminë Babrru, është bërë dhurimi i 100 kompleteve me dhjetë libra nën titullin, “Rrëfenja kur’anore”.

Historitë me ilustrime për pejgamberë, njerëz dhe ngjarje përmbajnë tekste të përthithshme lehtësisht, shkruar enkas për fëmijët.

Fondacionin ALSAR dhe entin sindikal turk ÖZ SAĞLIK-İŞ i lidh një partneritet i qëndrueshëm. Kontributi i tij për aktivitetet e ALSAR-it është i herëpashershëm dhe i vlerësuar.

Studentë të ekselencës marrin ndihmën financiare të zekatit

Ndërsa Ramazani hyn në dhjetëditëshin e fundit të tij, Fondacioni ALSAR ndërthur veprimtaritë për ta dërguar ndihmën humanitare te sa më shumë njerëz e shtresa shoqërore, e për të përçuar gjithandej frymën e solidaritetit human.

Aktivitetet e kryera kanë përgjithësisht karakter humanitar, por përfshijnë dhe elementë të tjerë, si, për shembull, në këtë rast, të fushës së arsimit.

Në radhën e projekteve të realizuara në këto ditë me mbështetjen nga WEFA, organizata e ndihmave me qendër në Gjermani, ka qenë dhe ai i dedikuar studentëve të ekselencës të universiteteve publike.

Nga kontingjenti i studentëve që përfitojnë mbështetje financiare nga Fondacioni ALSAR, është dhënë për 22 prej tyre ndihma e zekatit.

Zarfet me ndihmën financiare të zekatit u janë dhënë studentëve në mjediset e Fondacionit ALSAR nga përfaqësuesit e WEFA-s të mbërritur posaçërisht në vendin tonë.

Ndjekësve të kurseve fundjavore të mësim-edukimit u dhurohet kompleti me tregime për të dërguarit e Zotit

Fondacioni ALSAR ka zhvilluar një aktivitet dhurues të kushtuar ndjekësve të kurseve fundjavore të mësim-edukimit.

Për 400 ndjekës të këtyre kurseve është dhënë kompleti me tregime për të dërguarit e Zotit, përbërë nga dhjetë libra me ilustrime.

Botuar nga ALSAR, librat janë të lehtë për t’u lexuar dhe i përshtaten moshës së ndjekësve të kurseve. Ato përmbajnë tekste të dobishme, njohuri të vlefshme për profetë, njerëz dhe ngjarje.

Dhurimin e mbështeti organizata IHH me qendër në Holandë.

Dhënia e kompletit të librave përkon me ardhjen e muajit të begatë të Ramazanit dhe është në frymën e tij.

Përmbyllet faza e parë e dhënies së bursave të ekselencës për këtë vit akademik

Në kuadër të aktiviteteve humanitare dhe arsimore, e të mbështetjes të studentëve, në sallën e konferencave të Fondacionit ALSAR është realizuar shpërndarja e çeqeve që shënoi përmbylljen e fazës së parë të dhënies së bursave të ekselencës për vitin akademik në vazhdim, 2024-2025.

Çeqet me ndihmën financiare të zekatit u dhanë për pjesën e mbetur të 90 studentëve të cilët e kanë fituar të drejtën e mbështetjes me bursa ekselence dhe e kanë marrë këstin e parë.

WEFA, organizata e ndihmave ndërkombëtare me qendër në Gjermani dhe një partnere e ALSAR-it në shumë aktivitete, e mundësoi dhënien e çeqeve.

Përfaqësues të saj ishin të pranishëm aktivë në veprimtarinë e javës së kaluar, ndërsa studentëve u tha disa fjalë drejtori administrativ i Fondacionit ALSAR.

Projekti i bursave të ekselencës u mundëson mbështetje ekonomike të rinjve dhe të rejave me rezultate të shkëlqyera në procesin mësimor të universiteteve publike.

Në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë paraqiten dy botime të ALSAR-it dhe jepen bursa për studentë

Fondacioni ALSAR zhvilloi në mesin e kësaj jave, më 23 janar, një veprimtari të karakterit kulturor dhe arsimor në Universitetin “Fan S. Noli”, e cila përmbante paraqitjen e dy titujve nga Botimet ALSAR dhe dhënien e këstit të parë të bursave për studentë të këtij institucioni të arsimit të lartë.

Moderimin e veprimtarisë me pjesëmarrje të gjerë e bëri prof. as. dr. Aida Mosko, zëvendësrektore e Universitetit “Fan S. Noli”, ndërsa mbajtën fjalë përshëndetëse rektori, prof. dr. Lorenc Ekonomi, dhe kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.

Në fjalën përshëndetëse të z. Gurra u vlerësua bashkëpunimi midis ALSAR-it dhe Universitetit “Fan S. Noli”, i forcuar ndër vite, dhe u nxitën studentët të angazhohen në ndërveprimin me fondacionin përmes aplikimeve për mbështetje, për studime të mëtejshme, e për realizime projektesh në lëmin botues, etj.

I pranishëm në veprimtari ishte dhe atasheu për arsimin pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Metin Bulut, i cili mbajti gjithashtu një fjalë të shkurtër.

Paraqitja e botimit, “Alfabetarja e gjuhës shqipe, 1879”, tanimë me tekst të transliteruar, pati për referues prof. dr. Emil Lafen dhe prof. dr. Ali Jasharin.

Për botimin tjetër, “Fjalori i homonimeve leksikore në gjuhën shqipe”, folën prof. dr. Seit Mansaku, prof. dr. Valter Memisha dhe dr. Olger Brame.

Prof. dr. Zyhdi Dervishi iu drejtua pjesëmarrësve me një paraqitje të veprimtarisë së Fondacionit ALSAR.

Pjesa e dytë e veprimtarisë iu kushtua dhënies së këstit të parë të bursave për studentë të ekselencës së Universitetit “Fan S. Noli” për këtë vit akademik.

Dhënia e bursave të ekselencës, me shumë vlerë për mbështetjen e të rinjve në rrugën e dijes, vijon e çohet përpara me kontributin e institucioneve partnere nga Turqia.

Një fotografi e përbashkët e organizatorëve dhe pjesëmarrësve shënoi përfundimin e veprimtarisë.

Pajisen me çanta nxënës të shkollës 9-vjeçare të Trebishtit, në qarkun e Dibrës

Fondacioni ALSAR ka zhvilluar një aktivitet me karakter humanitar dhe arsimor në zonën e Trebishtit, në qarkun e Dibrës.

Për t’u ardhur në ndihmë nxënësve me një artikull të domosdoshëm, është realizuar dhurimi i çantave të shkollës për dhjetëra fëmijë.

Përfitues të kësaj dhurate ishin nxënësit e shkollës 9-vjeçare “10 Dëshmorët” në Trebisht.

Në aktivitet merrte pjesë përfaqësuesi i IHH-së me qendër në Holandë, organizatës me të cilën ALSAR bashkëpunon në realizimin e projekteve të ndryshme.

Çantat u dhanë për 115 nxënës, të lumturuar dhe falënderues për dhuratën.

Ndërsa projekti parashikonte dhurimin e 125 çantave shkollore, sasia e mbetur është shpërndarë për nxënës në një lokalitet të Malësisë së Madhe.

soap 2 day